Opinione Apel Qeverisë: Mbroni kalanë e Gjirokastrës

Apel Qeverisë: Mbroni kalanë e Gjirokastrës

Nga Vangjel Tavo*

Edhe pas shumë ditësh denoncimi në media e rrjete sociale për rrezikun e shembjes së Kalasë së Gjirokastrës, nuk është marrë asnjë masë e nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Kalaja e qytetit të Gjirokastrës ka pësuar çarje në pjesë të mëdha të murit të saj, duke rrezikuar seriozisht shembjen. Ka një rrëshqitje të një pjese shkëmbi në zonën poshtë Kullës së Sahatit, e cila vë në rrezik tërë Kalanë, monument kulture i kategorisë së parë.

Inxhinierët dhe ekspertët kanë ngritur alarmin për rrezikun që i kanoset Kalasë. Duhet menjëherë të merren masa urgjente për mbrojtjen e monumentit. Edhe me sy të lirë dallohet çarja e kullës jugore dhe lagështia në galeritë poshtë kullës së sahatit.

Disa ditë më parë reshjet e dendura dëmtuan Urën e Llongos dhe Koshovicës. Në Zagori ura e Hoshtevës, monument kulture, u rrënua plotësisht. Monumentet e Gjirokastrës, e mbarë qarkut të saj, po rrënohen njëra pas tjetrës.

Kalaja është në varësi të Ministrisë së Kulturës e cila nuk ka bërë asnjë investim dhe madje nuk po merr asnjë masë për mbrojtjen e saj në këtë gjendje kritike në të cilën ndodhet.

Kalaja është identiteti i Argjirosë dhe simboli i çdo gjirokastriti. Asnjë pushtues e as Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore nuk arritën ta rrënonin atë, por me sa duket indiferenca dhe neglizhenca e një qeverie mund t’ia dalë mbanë.

“Ra Si Yll Po Su Shua,” shkruan mjeshtri Ismail Kadare për Argjironë:

“….. ja Argjiroja e shpejtë

tok me foshnjezën e vet

u vërtit si zog në erë

nga kalaja në humnerë

shkëmb më shkëmb seç u copëtua

ra si ylli po su shua

dhe kujtoi ky shkëmb i bardhë

se fëmija saj mbet gjallë

dhe që foshnjen ta mekojë

qumësht zuri të pikojë.”

Për qindra vite Argjiroja nuk është shuar nga kujtesa e popullit gjirokastrit, sepse Kalaja ka mbajtur gjallë heroizmin, legjendat, dhe historinë e këtij qyteti. Lejoni me indiferentizmin tuaj të copëtohet shkëmb më shkëmb e gurë më gurë, dhe identiteti i kësaj treve shuhet.

I bëj apel Ministrisë së Kulturës: Ndërhyni sa më shpejtë që të mos përshkruheni në tekstet shkollore si varrmihësit e historisë.

*Deputet i Qarkut Gjirokastër