Opinione Puna dhe pushimi, sipas këndvështrimit të krishterë

Puna dhe pushimi, sipas këndvështrimit të krishterë

Nga Miron Çako*

Puna dhe pushimi, pavarësisht se duken diametralisht të kundërta, ato kanë lidhje dhe plotësojnë njëra-tjetrën, sepse pa punë nuk ka pushim dhe pa pushim njeriu nuk punon dot përsëri. Puna përfshin aftësinë mendore dhe fizike të njerëzve për të siguruar të mira materiale, vlera shpirtërore për interesin e tij përgjatë kohës dhe hapësirës në botën ku jeton.

Sipas konceptit ateist-materialist, të mbështetur në teorinë e “Evolucionit” të natyralistit anglez, Çarls Darvinit (1809-1882) në esenë e tij të papërfunduar “Roli i punës dhe i shndërrimit të majmunit në njeri”, filozofi komunist gjerman Frederik Engels (1820 – 1895) përpiqet të tregojë sipas fantazisë së tij rolin e punës në evolucionin njerëzor: “Puna është burim i gjithë pasurisë… Por ajo nuk është vetëm kaq, është diçka pakrahasueshmërisht më tepër. Ajo është kushti i parë themelor i gjithë jetës njerëzore, në atë masë saqë, me një kuptim të konsiderueshëm, detyrohemi të themi: Puna e krijoi vetë njeriun…Darvini na e ka dhënë një përfytyrim të përafërt të atyre paraardhësve tanë. “Ata kanë qenë plotësisht të mbuluar me qime, kishin mjekër dhe veshë të mprehtë, dhe jetonin turma-turma nëpër drunj. Besohet se ata majmunë, para së gjithash, nën ndikimin e mënyrës së vet të të jetuarit, e cila kërkonte që duart, me rastin e kacavarjeve, të kryenin tjetër funksion nga këmbët, filluan që, me rastin e ecjes nëpër tokë, të çmësohen, të ndihmohen me duar dhe të mësohen gjithnjë e më shumë, në ecje vertikale. Kjo gjë qe hapi vendimtar i kalimit nga majmuni te njeriu”…

E shqisa e të prekurit, e cila te majmuni mezi ekziston, në fillim u zhvillua vetëm me zhvillimin e duarve të njeriut dhe kjo falë punës… Zhvillimi i trurit dhe i shqisave të nënshtruara atij, vetëdija, e cila bëhej gjithnjë e më e qartë, aftësia për abstraksione dhe konkluzione, ndikoi në punë dhe në të folur për zhvillimin e mëtejshëm si të punës, ashtu edhe të të folurit. Ky zhvillim i mëtejshëm, pas ndarjes përfundimtare të njeriut nga majmuni, asnjëherë nuk pushoi, por, duke e parë në tërësi, përparoi shpejt edhe pse te popujt e ndryshëm ndryshon me shkallën dhe drejtimin e vet… Cila është pra karakteristika dalluese e shoqërisë njerëzore që e dallon nga lukunia e majmunëve? PUNA”.

Po të vazhdojmë të mendojmë në këtë mënyrë evolucioniste utopike si Engelsi, se puna ishte kushti themelor i të bërit njeri, atëherë del pyetja pse ka në racën njerëzore dembelë që nuk e duan punën? Mos do të thotë që kjo gjë se ai ka dështuar së evoluari dhe ka mbetur majmun? Por mund të themi se puna e tepërt dhe e detyruar e kthen njeriun në një kafshë pune ashtu si edhe Karl Marksi (1818 – 1883), një tjetër filozof ateist materialist dhe ekonomist politik , thotë diçka që duket sikur bie ndesh me Engelsin: “Fakti që puna është e huaj për punëtorin… nuk i përket natyrës së tij instiktive. Në punën e tij, ai nuk e afirmon veten, por e mohon atë, nuk ndihet i kënaqur, nuk zhvillon lirisht energjinë e tij mendore dhe fizike, por sakrifikon trupin dhe mendjen. Punëtori e ndien veten jashtë punës, në punë ndihet jashtë vetes”. (Dorëshkrimet ekonomike dhe filozofike të vitit 1844 Karl Marx, Puna e rëndë)

Por, pavarësisht nga konceptet ateiste, materialiste dhe komuniste në lidhje me njeriun edhe punën, të cilat sot përvoja, me gabimet njerëzore, të shoqëruara me vuajtje, varfëri dhe fatkeqësi tragjike të shekullit të kaluar, të përziera me mashtrim dhe dhunë, i hodhën si të pavlera në koshin e historisë, mund të themi se puna është ajo që e dallon njeriun nga kafsha, se njeriu mendon prandaj punon, kurse kafsha thjesht vepron. Këtë e vërteton vetë puna e njeriut, e cila nuk është vetëm punë ekzistenciale monotone, por ajo është edhe krijuese, edhe artistike, edhe kulturore dhe, kur është e ndershme dhe e moralshme, është nder dhe shpërblim për ata që e kryejnë. Pra, puna është një virtyt shpirtëror.

Mendimi teist na tregon se puna, si aspekt i vullnetit dhe vullneti atribut i shpirtit mendor, e tregon njeriun ikonë të Perëndisë, sepse ashtu si Zoti si Qenie intelektuale mendon, punon dhe krijon, edhe njeriu si një miniaturë e Zotit, si qenie psiko-somatike, mendon, punon dhe krijon ndryshe nga çdo krijesë tjetër, madje edhe nga ato engjëllore. Njeriu u pajis me këtë virtyt dhe atribut hyjnor që kur u krijua; në Bibël lexojmë: “Zoti e krijoi njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit që ta ruante dhe ta kultivonte (punonte)” (Zanafilla 2:15). Puna ishte kënaqësi dhe dinjitet për njeriun, e lartësonte përmbi krijimin. Por, mbasi njeriu mëkatoi dhe u rebelua kundër Zotit, ajo u kthye në një angari, mundim dhe në një nevojë ekzistenciale, siç na thuhet në librin e Zanafillës: “Meqenëse dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar të mos haje, toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd. Ti do të hash frytin e saj me mund, gjithë ditët e jetës sate”(Zanafilla 3:1-7).

Sado që njeriu mëkatoi, puna si atribut nuk u kthye në një mallkim, si vetë toka, por ajo mbeti një bekim; thjesht ndryshoi pozicioni i njeriut kundrejt natyrës. Ajo (natyra), mbas mëkatit të njeriut, nuk i bindet më atij dhe nuk ia jep me lehtësi të mirat e saj. Dhe kështu mundimi, djersitja, rraskapitja, madje edhe dështimet nga puna e detyruar për mbijetesë, bëjnë që ajo të duket si një mundim dhe mallkim. Ja si e paraqet psalmisti njeriun e punës: “Del njeriu në punën dhe në mundimin e tij gjer në mbrëmje” (Psalmi 103). Pavarësisht nga ndryshimi i llojit të saj, puna mbetet përsëri një ligj i pandryshuar dhe detyrim për çdo njeri të aftë për punë, ashtu si Zoti urdhëroi: “Puno gjashtë ditë dhe në ato bëje çdo punë tënden” (Eksodi 20:9).Prandaj, sipas Biblës, dembelizmi është i pajustifikuar dhe i dënuar si një ves mëkatar dhe gjithashtu është shkak i një rënieje morale, me shumë pasoja jo vetëm për individin dhe familjen ku ai jeton, por edhe për mbarë shoqërinë. Sepse, nëse dikush ka mundësi të punojë dhe nuk punon, ai, i nxitur nga uria, do të kërkojë të përvetësojë punën e të tjerëve, ose të tjerët do të punojnë për të. Sipas Biblës, një njeri i tillë nuk është më njeri, por një parazit i neveritshëm: “Me gur të përbaltur (të ndotur) krahasohet përtaci; gjithkush i fishkëllen në shenjë përbuzjeje. Me pleh lopësh krahasohet përtaci; kushdo që e prek, e shkund dorën e vet” (Sirakidi 22:1-2).

Fatkeqësisht, sot të tillë njerëz dembelë edhe pa ndonjë vlerë janë shtuar shumë; këta jetojnë si parazitë, dhe thithin si shushunja mundin dhe djersën e të tjerëve. Shohim të rinj dembelë që jetojnë në kurrizin e prindërve, argëtohen, kalojnë dhe vrasin kohën nëpër kafene apo gjoja merren me studime, kurse prindërit e tyre punojnë pavarësisht nga mosha dhe fuqia që kanë, duke paguar orekset e fëmijve të tyre përtac. Po ashtu, gjithnjë e më shumë, një shtresë oligarkësh, një pakicë, rron me të gjitha kënaqësitë e kësaj jete dhe përtej limiteve, me punën e shumë të tjerëve të cilët punojnë gjithë ditën, madje edhe në ditët e pushimit, dhe nuk e marrin atë që u takon si vlerë reale të punës ose aq më keq nuk u jepet paga mujore . Të tillë njerëz dembelë, shfrytëzues dhe çnjerëzorë që jetojnë me shfrytëzimin e punëtorëve, akuzohen rëndë në Shkrimin e Shenjtë: “Ejani tani ju, o pasanikë : qani edhe vajtoni për mjerimin që do të vijë mbi ju! Ja paga që ua keni ngrënë punëtorëve që ju korrën arat, po këlthet dhe klithma e atyre që korrën, arriti në veshët e Zotit të ushtrive” (Jakovi 4:4).

Puna ushtrohet në profesione të ndryshme, sipas aftësisë që dikush e fiton dhe e trashëgon. Prandaj një shoqëri nuk mund të jetojë vetëm me një lloj pune, p.sh. vetëm atë mendore, drejtuese apo elitare, ajo duhet ta shpërndajë forcën e punës në të gjitha aftësitë prodhuese; madje, pa punët që sot duken si të rëndomta, si bujqësi, zanate, asnjë qytet nuk mund të ndërtohet, si e thotë Libri i Sirakidit: “Të gjithë këta shpresën e kanë në duar, e secili është mësuar në zanatin e tij. Pa këta, nuk do të ishte e mundur të ndërtohej asnjë qytet; njerëzit nuk do të kishin ku të banonin as ku të shëtisnin”(Sirakidi 38:36-37).

 

Ajo që vihet re në shoqërinë e sotme, sidomos te brezi i ri, është se këto punë përbuzen dhe të gjithë preferojnë një punë zyre, si p.sh avokat, ekonomist, punonjës social, psikolog etj., duke iu shmangur punës fizike dhe prodhuese, apo zanateve; por kjo gjë është e pamundur, sepse nuk kanë të gjithë të njëjtat aftësi intelektuale apo talente, dhe një shoqëri nuk mund të funksionojë në këtë mënyrë, sepse rrezikohet të kthehet në një shoqëri parazitare ku punët e rëndomta presin të na i bëjnë të tjerët që janë në një nivel të ulët shoqëror dhe emigrantë, ashtu si vihet re në vendet e zhvilluara. Ky fenomen, për t’iu shmangur punës prodhuese sipas zanateve, është një ndër faktorët që rrit artificialisht papunësinë dhe sjell varfërinë e vetë shtresës parazitare, e cila vetë nuk prodhon.

Për ilustrimin e këtij fenomeni më kujtohen fjalët e Fortlumturisë së tij Kryepiskopit Anastas, i cili në një intervist në TV ERT i pyetur për krizën ekonomike në Greqi, ndër të tjera tha: “grekët pinin kafe, kur shqiptarët ju mblidhnin ullinjtë.

Prandaj është një detyrë e shtetit që, si një rregullator dhe menaxhues i të gjitha aftësive intelektuale dhe fizike të shtetasve, të bëjë një shpërndarje sa më të rregullt sipas aftësive dhe meritës. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi aftësi prodhuese produktive, që do të na shërbejë të gjithëve duke ngritur nivelin e jetesës dhe do të ulë papunësinë edhe parazitizmin, këto plagë të shoqërisë, që sjellin pasoja negative edhe në vende të zhvilluara.

Shembulli i punëtorit të palodhur është vetë Zoti Perëndi, i Cili jo vetëm kur paraqitet si krijues i gjithçkaje: “Qiejt u bënë me anën e Fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tij me anën e Frymës së gojës së tij… Sepse ai foli dhe gjëja u bë; Ai urdhëroi dhe gjëja u shfaq” (Psalmi 33:6-9), por, edhe kur Fjala e Zotit u bë njeri në personin e Jisu Krishtit për shpëtimin e njerëzve, na la shembullin e tij unikal në lidhje me punën. Krishti, deri në moshën 30-vjeçare, punoi në zanatin e lodhshëm të marangozit, një mënyrë e ndershme për të siguruar jetesën për veten, nënën e tij dhe për familjen ku banonte. Vetë Krishti thotë: “Ati im punon deri tani dhe Unë punoj”(Joani 5:17).

Por Krishti kërkon t’i japi punës një dimension tjetër, atë që njerëzit të mos skllavërohen vetëm nga një punë që ka lidhje me mbijetesën dhe përfitimin e të mirave të kësaj jete kalimtare, por ata duhet të bëjnë edhe një punë tjetër, një punë shpirtërore që i lidh me Perëndinë. Ai iu thotë atyre që kanë veshë për të dëgjuar: “Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet në Jetën e Përjetshme, të cilin do t’ua japë Biri i njeriut, sepse kështu e vulosi Ati Perëndi”(Joani 6:27) ose “Mos u shqetësoni, pra duke thënë: Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi? Sepse janë paganët ata që i kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por, para së gjithash, kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’iu shtohen. Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për veten. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet”(Mateu 3:31-34).

Puna shpirtërore nuk e përjashton punën e përditshme që bëjmë për të mbijetuar, as nuk e justifikon dembelizmin, sepse “kush nuk punon, as të mos hajë”(2 Selanikasve 3-10), qorton apostulli i kombeve, Pavli, nxënës i Krishtit; por puna shpirtërore është puna më e lartë që mund të bëjë krijesa njerëzore, madje quhet “shkenca e shkencave”. Ajo është një punë që bëhet me shqisën e gjashtë, atë të besimit, e cila e lartëson njeriun në marrëdhënie me Zotin deri aty sa ai bëhet i ngjashëm me Të, sepse çlirohet nga lakmia dhe mëkati që e bëjnë skllav të materies së përkohshme, dhe fiton sundimin dhe kontrollin mbi krijesën, ashtu siç ishte në fillim para se të binte mëkat.

Ata që merren me këtë punë shpirtërore, e cila përfshin lutjen, studimin, meditimin, pendimin, rrëfimin, kungimin dhe çdo vepër të mirë për Zotin si edhe për të afërmin, do të gjejnë prehje në shpirtrat e tyre, sepse vetë Zoti do t’i çlodhë, do të qetësohen nga ndjenja e frikës, e agonisë për të nesërmen dhe nga çdo gjë që trazon jetën e njerëzve madje dhe puna fizike do t’u lehtësohet, sepse Zoti do të bashkëpunojë me ta dhe do t’i përgjigjet lutjes “Bukën tonë të përditshme na jep sot” (Lutja Zotërore). Që njeriu të merret me këtë lloj pune shpirtërore, duhet të gjejë kohën e nevojshme, prandaj porosia e Zotit është e qartë: “Puno gjashtë ditë, dhe në to bëj gjithë punën tënde; por dita e shtatë është sabat, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; mos bëj asnjë punë atë ditë, as ti, as biri yt, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua” (Eksodi 20:9-10).

Dita e pushimit, që iu dha në fillim popullit besimtar judaik në vitin 1446 para Krishtit, në të vërtetë nuk ishte një ditë pasive, një lloj përgjumje, përkundrazi, ajo ishte një ditë me aktivitete shpirtërore, e cila bënte që njeriu ta ngrinte kokën e tij nga poshtë-lart, nga toka në qiell, të komunikonte me Perëndinë, Krijuesin e tij. Duke bërë pushim, ndryshe nga kafshët që nuk kanë ditë pushimi, njeriu besimtar imiton Zotin, i Cili, mbasi krijoi qiellin dhe tokën, pushoi: “Sepse në gjashtë ditë Zoti krijoj qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, dhe në ditën e shtatë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e sabatit dhe e ka shenjtëruar atë” (Eksodi 20:11). Në këtë ditë, njeriu mund të thërriste me gjithë shpirt në tempullin e Zotit: “Qoftë i bekuar Zoti që i ka falur pushim popullit të vet sipas premtimeve të veta!”(1 Mbretërve 8:56).Pushimi në ditën e shtatë (sabatin) ishte një ligj për judenjtë, që do të thotë pushim me meritë; por, prapëseprapë, ata aq më shumë paganat, nuk mund të hynin vetë në pushimin e vërtetë të Zotit, sepse është e pamundur që njeriu të shpëtojë me meritë nga puna e tij, sepse gjithë veprat e tij janë me interesa, dinakëri dhe egoizëm, të cilat, përpara drejtësisë së Zotit, nuk meritojnë shpërblim me pushim. “Kështu u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time. Askush nuk do hyjë në pushimin tim” (Psalmi 95:11).

Këtë ditë pushimi, të vërtetë dhe të përjetshme me Perëndinë, e arriti Krishti, me punën e Tij për shpëtimin e të gjithë njerëzve judej dhe pagan, ashtu siç vetë Ai thotë: “Unë të kam përlëvduar mbi tokë. Unë e kam kryer punën që më ke dhënë të bëj”(Joani 4). Puna që ai përfundoi për shpëtimin e njerëzimit sipas vullnetit të Perëndisë, ishte çlirimi i tyre nga barra e mëkatit me flijimin e Vet triumfues në Kryq të premten dhe ringjallja nga vdekja (që e kishte fuqinë te mëkati), që i dha njerëzve me ngjalljen e Tij të lavdëruar ditën e diel. Këtë ditë, pavarësisht që është dita e parë e javës, ne përsëri pushojmë, edhe pse nuk kemi punuar me meritë për shpëtimin tonë, dhe parashijojmë pushimin e përjetshëm nga merita e punës së Krishtit. Prandaj Ai i fton njerëzit që besojnë tek Ai: “Ejani tek unë, gjithë ju që jeni të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe do të gjeni çlodhje për shpirtrat tuaj”(Mateu 11:28-29).

Kjo ditë pushimi është një ditë që na mbledh për të adhuruar dhe falënderuar Zotin, i Cili na dha pushimin nëpërmjet punës së Birit të Tij. Kjo ditë na kujton të parashijojmë vërtet atë ditë kur do të pushojmë nga punët fizike dhe do të prehemi në Zotin, atje ku nuk ka më as punë, as mundim ashtu siç thuhet te Zbulesa: “Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin: po thotë Fryma, që prehen (pushojnë) nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre i shoqërojnë” (Zbulesa 14:13). Ose siç thuhet në Shërbesën e Varrimit në Kishë Orthodhokse: “Bashkë me shenjtorët prehe, o Krisht, shpirtin e shërbëtorit tënd, atje ku nuk ka as dhembje, as heleme, as psherëtima, por vetëm jetë të pambaruar…”

Dita e diel, si një ditë pushimi nga tradita e krishterë, u vendos si ditë zyrtare pushimi në Perandorinë Romake nga perandori Kostandini i Madh në v. 321 dhe vazhdon të jetë e tillë deri më sot në të gjithë botën. Pavarësisht se ka njerëz që nuk e dinë këtë fakt dhe domethënien e së dielës, ata përsëri të dielave ndjejnë një nevojë për pushim, një qetësi dhe paqe sepse asgjë nuk është rastësi, por ka një rregull dhe ligj nga Zoti që tha: “Gjashtë ditë puno dhe të shtatën pusho”. Prandaj është gabim të mos punosh gjashtë ditët e javës, nga e hëna deri të shtunën, por po ashtu është gabim të mos pushosh të dielën, sepse puna edhe pushimi e tregojnë dhe e bëjnë njeriun-njeri dhe të ngjashëm me Zotin, i Cili, mbasi krijoi qiellin dhe tokën, pushoi dhe na rivendosi në pushimin e tij të dielën, ditën kur u ngjall Krishti. Prandaj e diela është dita më e lumtur e javës, siç thuhet “Kjo është dita që ka bërë Zoti, le të ngazëllohemi në të”(Psalmi 118).

*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit në Kryepiskopatën e KOASH-it – Tiranë