Bota Termocentrali i ri i Kosovës është një gabim i shtrenjtë

Termocentrali i ri i Kosovës është një gabim i shtrenjtë

21
0
Shpërndaje

Dy javë më parë, Ministri i Ekonomisë së Kosovës, Valdrin Lluka, botoi marrëveshjen që ai nënshkroi në emër të qeverisë së Kosovës për të ndërtuar termocentralin e ri me qymyr të vendit, të quajtur Kosova e Re.

Ky është një gabim trashanik ekonomik, financiar dhe mjedisor, të cilit pasojat do t’i ndjehen për të paktën 60 vjet.

Marrëveshja nuk i sjell dobi popullit të Kosovës dhe shkon kundër zhvillimit ekonomik të vendit.

Qeveria ka bashkëpunuar me klanin PRONTO – grupin në qendër të aferës që përndoqi qeverinë e mëparshme dhe zbuloi se si anëtarët e partisë emërohen në pozita të larta në sektorin publik, përfshirë atë energjetik.

Një grup zyrtarësh të Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, të pagëzuar me emrin klani PRONTO – u sollën në vëmendje në vitin 2016 kur uebsajti kosovar Insajderi filloi të publikonte biseda që supozohej se zbulonin mënyrën si PDK ndikonte në caktimet në pozicionet e sektorit publik, përfshirë atë energjetik.

Përveç problemeve ekonomike dhe financiare që ka ky problem, ndodhemi përballë grimcave helmuese dhe ndotësve të tjerë që do të gjenerohen në 60 vitet e ardhshme – jetëgjatësia mesatare e një termocentrali me qymyr. Qeveria vetë zor se i di apo kupton aspektet teknike të impiantit që ka rënë dakord të ndërtojë.

Përveçse me një marrëveshje shumë e keqe dhe me gjasa dëmtuese për blerjen e energjisë, ministri tha se Kosova duhet të sigurojë ujin për të ftohur turbinat e termocentralit.

Nga do të vijë ky ujë – do të merret nga fermerët? Jemi të sigurt që mund të marrim ujin nga liqeni Ujmani – të cilin Kosova ia ka kaluar Serbisë në administrim përmes bisedimeve Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja?

Sipas marrëveshjes së publikuar të termocentralit, Kosova gjithashtu merr përsipër të sigurojë një cilësi të caktuar linjiti për kompaninë që do të ndërtojë termocentralin, Countur Global.

Kjo do të thotë se qeveria duhet të mbulojë koston e shpronësimit të tokës së nevojshme, ku do të përfshihet zhvendosja e njerëzve dhe marrja e mënyrave me të cilat ata sigurojnë jetesën.

Pra, përveç largimit të njerëzve nga toka ku jetojnë, do të duhet të shkatërrojë tokën pjellore dhe biodiversitetin e vendit, të hapë gropa të zeza për 60 vitet e ardhshme, si dhe të jetë e detyruar të menaxhojë hirin, substancat e rrezikshme të lëshuara prej tij në ajër dhe tokë.

Ministri Lluka thotë se qeveria nuk ka marrë përsipër asnjë detyrim financiar në këtë marrëveshje. Por realiteti është disi ndryshe.

Kostoja e ujit, tokës, shpërnguljes, zhvendosjes, kompensimit, menaxhimit të pluhurit dhe kimikateve të rrezikshme, si dhe detyrimi që do t’i vendosë popullit të Kosovës për të blerë të gjithë energjinë e prodhuar nga kompania – madje edhe kur të mos kemi nevojë – janë shpenzime të vërteta financiare.

Shpenzime të tjera përfshijnë futjen në përdorim të termocentralit Kosova B, më të lirit në vend. Investimet e derdhura në linjat e transmetimit në vitet e fundit do të shkojnë dëm, pasi nevoja për këtë rrjet do të zhduket. E njëjta gjë vlen edhe për investimet në programet e energjisë së rinovueshme dhe efikase.

Kjo krijon një situatë ku të qenët një vend me energji efikase dhe vend me burime të ndryshme energjetike bie ndesh me këtë marrëveshje – sepse qeveria na ka bllokuar në një marrëveshje ku jemi të detyruar të blejmë vetëm energjinë elektrike të prodhuar nga kjo fabrikë.

Duke përdorur retorikën përgjithësuese dhe të pakuptimtë, qeveria fsheh faktin se i gjithë investimi është një barrë për qytetarët e Kosovës.

Së pari, qytetari mesatar, përmes taksave, duhet të përballojë kostot që kjo qeveri ka marrë përsipër në këtë marrëveshje: kostoja e zhvendosjes, përpunimi i qymyrit dhe furnizimi me ujë, kostot e degradimit mjedisor, si dhe shpenzimet e shëndetit publik për 60 vitet e ardhshme.

Nga ana tjetër, bazuar në studimin e ekspertëve ndërkombëtarë, fatura e energjisë ka gjasa të rritet me të paktën 50 për qind për të mbuluar koston e investimit veç kostos së energjisë së gjeneruar.

Qartazi kjo qeveri mendon se njerëzit janë budallenj dhe nuk e kuptojnë se askush nuk investon kapital privat pa vlerësuar se çfarë lloj fitimi dhe kthimi do të marrë nga investimi primar dhe për çfarë afati.

Kjo është arsyeja pse e gjithë marrëveshja i jep investitorit mbrojtje të plotë, i heq autoritetin ligjor Kosovës, dhe pavarësisht çdo skenari, Kosova do t’i paguajë investitorit shuma të mëdha parash.

Përveç kësaj, të gjitha negociatat për marrëveshjen janë bërë jashtë kornizës ligjore. I gjithë procesi ka shkelur procedurat e prokurimit publik, përfshirë vetëm një ofertues, kur ligji kërkon të paktën dy.

Në fund të fazës së negociatave, marrëveshja u nënshkrua edhe nën ligjin e vjetëruar të investimeve strategjike të huaja – një statut që nuk është përdorur në asnjë vend të botës për të paktën 25 vjet.

Ky ligj fillimisht synonte të tërheqë investitorë të huaj. Sidoqoftë, në fakt i jep të drejta të pakufizuara investitorit që të bëjë çfarë të dojë, dhe në rastet kur qeveria ose një palë e tretë hap një rast kundër tyre, investitori mund të largohet me miliona dollarë pa përfunduar punën e rënë dakord dhe pa mbajtur llogari te institucionet e Kosovës.

Nuk ka logjikë ekonomike apo mbrojtje të interesit publik në këtë marrëveshje. Nëse bëjmë llogaritë, është e qartë se kjo qeveri ka bërë një gabim të madh ekonomik – pasoja e të cilit do të mbetet në derën e një qeverie të ardhshme.

Në çdo vend tjetër, kryeprokurori do të fillonte një hetim mbi marrëveshjen, sepse të gjitha procedurat, përfshirë ligjin mbi prokurimin publik dhe ligjet mjedisore, janë shkelur dhe shteti është dëmtuar në një shkallë që do të konsiderohej si shkelje e kushtetutës.

Marrëveshja, e cila është gjithashtu e rrezikshme, thotë se kontraktori kërkon “qymyr të një cilësie të caktuar dhe ujë të një cilësie të caktuar”.

Kjo do të thotë se qeveria do të duhet të merret me tharjen e qymyrit dhe me pastrimin e ujit për të mundësuar funksionimin e uzinës.

Ky është një problem i madh, dhe jo vetëm nga pikëpamja financiare. Gjuha ligjore e përdorur gjithashtu krijon hapësirë ​​që investitori të kërkojë fonde shtesë nga qeveria në çdo kohë – sepse qeveria në mënyrë të pashmangshme do të mbetet prapa në përmbushjen e kushteve të parashikuara nga marrëveshja.

Të gjitha këto dhe shumë pyetje të tjera duhet të ishin adresuar në Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe Social, ku Banka Botërore dhe qeveria kanë shpenzuar miliona euro në 15 vitet e fundit – dhe nuk e kanë prodhuar.

Natyrisht, ky dështim për të vepruar është politik, sepse Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor dhe Social do të kishte treguar se e pakuptimtë financiarisht është kjo kontratë, çfarë dëmi do të shkaktojë për shëndetin publik dhe cila do të jetë kostoja e shkatërrimit dhe degradimit të mjedisit.

Pyetja tjetër është pse qeveria jonë nuk ka garanci nga Banka Botërore për këtë projekt? Pati ndonjë vendim nga Bordi i Bankës Botërore për të mbështetur këtë termocentral?

Së fundmi, deklaroj publikisht se kurrë nuk kam pasur ndonjë investim në sektorin e energjisë dhe nuk kam asnjë interes personal në lidhje me ndonjë investim energjie në Kosovë apo diku tjetër.

Haki Abazi

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in