Bota Zbuten tensionet SHBA–Turqi

Zbuten tensionet SHBA–Turqi

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia vendosin të ulin tensionet pas retorikave të ashpra të javëve të fundit, si pasojë e ndërhyrjes ushtarake në veri të Sirisë.

Sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson u takua me homologun turk, Mevlut Çavushollu në Ankara.

Krerët e diplomacive të dy shteteve ranë dakord për të bashkëpunuar për një plan që largon milicitë kurde nga zona kufitare mes Turqisë dhe Sirisë dhe vendosjen atje të një force të përbashkët.

Tillerson i quajti të drejta shqetësimet që Turqisë i vijnë nga grupet të cilat ky vend i konsideron terroriste.

Ndaj dhe shprehu angazhimin për të zgjidhur problemet në Manbij.

Ushtria turke kërkon të marrë qytetin, që kontrollohet nga milicët kurdë të konsideruar prej tyre terroristë.

Kurdët ndodhen aty që prej ofensivës kundër Shtetit Islamik vitin e kaluar, të ndihmuar edhe nga aleatët e tyre amerikanë, që vendosën aty edhe disa trupa.

Javën e kaluar, një gjeneral amerikan paralajmëroi Turqinë se trupat e tij do të reagonin në mënyrë agresive ndaj çdolloj sulmi ushtarak turk kundër kurdëve në Manbij.

Në kundërpërgjigje, Rexhep Taip Erdoan kërcënoi SHBA me “shuplakë otomane”, duke iu referuar një “sulm vdekjeprurës dhe të rrufeshëm”.