Aktualitet 10% e shqiptarëve të imunizuar ndaj COVID, por “jemi larg imunitetit të...

10% e shqiptarëve të imunizuar ndaj COVID, por “jemi larg imunitetit të tufës”

10 % e popullatës ne nivel global ka arritur te imunizohet nëpërmjet infektimit nga koronavirusi. Imunologët thonë se kjo shifër ndryshon në varësi të dendësisë së popullsisë duke i bërë kryeqytetet vatrat më të mëdha të infeksionit e për rrjedhojë edhe me një imunitet më të madh të popullsisë.

“Aktualisht në Tiranë ne jemi afër 20%, ndërsa në rang vendi mund të jemi tek 10% akoma, por kjo gjendje imunitare është ende larg pragut të imunitetit kolektiv asaj që quhet imuniteti i tufës që duhet të jetë 60%”, tha për Tv Klan imunologu Genc Sulçebe.

Ende nuk ka të dhëna të sakta rreth imunitetit që lë Covid 19 pas tejkalimit të sëmundjes, por ekspertët janë të mendimit se ai është i ngjashëm me Sars Cov 1 dhe Mers.

“Ndaj këtij virusi nuk kemi shifra të sakta, por mendohet se imuniteti dhe këtu do jetë i ngjashëm do ketë një zgjatje 1 deri në 2 ose me tepër vjet pra duhet të jemi të qetë se pas kalimit të këtij infeksioni ne kemi imunitet jemi të mbrojtur nga riinfektimet e mëtejshme”.

Nga ana tjetër mjekët infeksionit kërkojnë rishikim të protokolleve të mjekimit veçanërisht për mjekët e familjes.

“Është momenti të rishikohen protokollet e në kushtet ambulatore dhe sjellja e çdo mjeku në përshkrimin e barnave për këto të sëmurë pasi ka mbipërdorim të antibiotikeve dhe kortizonikëve në kushte ambulatore”, tha mjeku infeksionist Arjan Harxhi.

Shumica e të infektuarve po e kalojnë në mënyre asimptomatike, ose në gjendje të lehtë. Ata janë infektuar njëlloj si personat me shenja të sëmundjes.