Kulturë 10 filmat që duhet të shikoni gjatë festave

10 filmat që duhet të shikoni gjatë festave

Vitet e fundit, filmat dedikuar krishtlindjeve, janë rikthyer, edhe më të dashura për ne, se kurrë më parë, duke u shndërruar në hite të padiskutueshme. Por të dashura mbeten edhe filmat e vjetër, ikonikët e Hollivudit, që kryesojnë renditjen, si më të ndjekurat përgjatë muajit dhjetor dhe ditët e para të janarit. Nëse disa prej tyre i keni harruar, Netflix i rikujton, duke sjellë madje edhe më të dashurat e publikut.

1- It’s A Wonderful Life (1946)

Mbushur me mesazhe magjie, vullnet të mirë e shumë dashuri, në vend të parë, si filmi që i ka rezistuar viteve, e madje dekadave, mbetet drama “It’s A Wonderful life”, i vitit 1946. Mbetet një nga filmat më të bukur edhe të James Stuart, i cili me rolin e tij, duket se çimenton përgjithnjë idenë se Krishtlindjet janë koha për të dhënë dashuri e gëzim, mbushur me mesazhe magjike, dëshirë e vullnet të mirë.

2- Elf (2003)

Will Ferrell i ka dhënë një frymë tjetër krishtlindjeve dhe personazhit mit të fëmijëve, elfit, në komedinë me të njëjtin titull “Elfi”, prodhim i vitit 2003. Elfi kalon një ditë të ngarkuar në kërkim të të atit në qytetin e Nju-Jorkut dhe filmi dhuron batuta fantastike, përmes humorit dhe frymës së krishtlindjeve.“Elfi” mbetet një nga filmat më të dashur dhe më modernë dedikuar festave të fundvitit.

3- Die Hard (1988)

Edhe pse një film aksion, në vend të tretë pozicionohet “Die Hard”. Një festë Krishtlindje që shkon keq, ditën kur polici i Nju-Jorkut, John McClaine, rol i luajtur nga Bruce Willis, kthehet në Los Anxhelos për të takuar të shoqen dhe fëmijët. Por festa ndërpritet nga terroristët e armatosur rëndë. Përpos përpjekjeve për orë të tëra, në një nga qiellgërvishtësit më të famshëm në Los Anxhelos, fundi është i lumtur.

4- Bad Santa (2003)

Duket se puna si babagjysh në një market gjigand nuk i përshtatej aspak tipit të tij, por borxhet dhe varësia ndaj alkoolit, e detyruan të vishet si njeriu më i dashur për fëmijët: Santa. Billy Bob Thornton ishte personazhi kryesor i komedisë “Bad Santa”, prodhim i vitit 2003, i cili në fund shndërrohet nga një njeri patetik, në një hero simpatik, në filmin që dukshëm mbyllet me një mrekulli Krishtlindjeje.

5- Gremlins (1984)

Komedia e zezë “Gremlins”, filmi i realizuar më shumë se 30 vjet më parë, mbetet një nga të preferuarit. Edhe pse me një histori të trishtë Krishtlindje, filmi fantazi është një nga më të ndjekurit, me një dhuratë krishtlindjeje të bërë me shumë dashuri, që shndërrohet në një makth.

6- I Vetëm Në Shtëpi (1990)

Me skenar të John Hughes, “Home Alone”, prodhimi i parë, ai i vitit 1990, e shndërroi Kevin McCallister në një hero të asaj periudhe. Familja zhvendoset në Paris duke harruar, aksidentalisht, të vetëm në shtëpi, vogëlushin Kevin, për të cilin aventurat, atë ditë, vetëm nisin, bashkë me të edhe të qeshurat.

7- Eduard Duargërshëra (1990)

Roli tij si Eduar Duargërshëra është një nga performancat e Johhny Depp më të vlerësuara nga kritika. Me sytë e trishtuara por të një heroi në kontekstin e Krishtlindjeve, Tim Burton arriti ta shndërrojë filmin fantazi, edhe përmes lojës së Winona Ryder, në një mrekulli të vërtetë të Krishtlindjes.

8- The Snowman (1982)

Libri dedikuar njeriut të borës, i shkruar nga Raymond Briggs erdhi në jetë në vitin 1982, si për të na kujtuar të gjithëve ëndrrat e fëmijërisë, në një film të animuar, të transmetuar fillimisht në televizionet britanike. Nominuar edhe për një çmim Oskar, “Snowman”, filmi me metrazh të shkurtër rrëfen historinë e një djaloshi, njeriu i borës i të cilit kthehet me magji në një njeri të vërtetë, por veç për pak kohë. Kjo është një nga historitë klasike të krishtlindjeve.

9- Kiss Kiss, Bang Bang (2005)

Robert Downey Jr pushtoi kinematë me rolin e tij në komedinë e krimit “Kiss Kiss, Bang Bang”, shndërruar në të paharrueshme nga Val Kilmer, në rolin e një hetuesi privat. Filmi i vitit 2005, ka situata nga më të papriturat, me batuta pikante teksa Michelle Monaghan shndërrohet në një Santa femër, vërtetë joshëse.

10- The Santa Clause (1994)

Te fëmijët atë vit ekzistonte frika se mos Santa rrëzohej mbi çati dhe ata do të mbesnin pa dhurata. Dhe makthi u kthye në realitet. Kur Tim Allen tremb babagjyshin mbi çati, ai rrëzohet dhe humb jetën. Kështu ai do të duhet të luajë rolin e tij, për të mos shkatërruar Krishtlindjet. Menjëherë, Scott Calvin dhe i biri Charlie nisin një aventurë të paimagjinuar. Scott merr peshën ideale të një Babagjyshi, me flokë të thinjura e mjekër të gjatë. Maratona e krishtlindjeve për të do të vazhdojë gjatë, edhe me 2 prodhime të tjera pas filmit të vitit 1994.