Kryesore 10 mijë euro shpërblim për njeriun më të kërkuar të momentit

10 mijë euro shpërblim për njeriun më të kërkuar të momentit

Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 10 mijë euro shpërblim për çdo person që ka informacione që do të çojnë në arrestimin e Talo Çelës, një prej personave më të kërkuar në vend.

49-vjeçari nga Elbasani është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Ai është autori i dyshuar i ngjarjes grabitjes së Rinas në prill të vitit 2019, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.

Gjithashtu Çela është i dyshuar si autor i vrasjes së dy vëllezërve Haxhiu në 27 prill të këtij viti, në vendin e quajtur “Tregu i makinave”, në Shënvlash.

“Për çdo informacion që i shërben kapjes së këtij personi, qytetarët të telefonojnë në numrin e celularit 069 41 06 823, si dhe në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar anonimat të sigurt”, thotë Policia.