Sport 10 ndeshje pa pësuar gola, Itali spektakolare dhe solide. Gati të thyejë...

10 ndeshje pa pësuar gola, Itali spektakolare dhe solide. Gati të thyejë rekordin 82-vjeçar

Ndeshja e dytë e Italisë në “Euro 2020” dhe fitorja e dytë. Përsëri me një rezultat të qartë 3-0, këtë herë kundër Zvicrës. Axurrët e drejtuar nga Roberto Mancini nuk pushojnë së mahnituri dhe me të vërtetë po i bëjnë italianët të ëndërrojnë. Një vend i tërë po bashkohet rreth ekipit kombëtar që fiton, bind dhe nuk humbet.

Italia, në mesin e ekipeve të shikuara deri më tani në Europian, është ndër ato kombëtare që ofron futbollin më të mirë ndonjëherë. Linjat sulmuese ofensive janë në punë të plotë, mekanizmat nga mesfusha e lart janë “vajisur” deri në përsosmëri, ndërsa numri i shanseve të krijuara në çdo ndeshje është i pabesueshëm.

Në sytë e të gjithëve ka padyshim gola më bollëk, që po e tërheqin Italinë në këtë pjesë shumë të hershme të garës, por nëse sulmi është “qershia mbi tortë” e ekipit të Mancini, mbrojtja nuk bën përjashtim.

Ajo mbron lart dhe mbi të gjitha ka një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Ekzistojnë disa numra të rëndësishëm për të shpërblyer punën e prapavijës axurre dhe për të shpjeguar sa mirë po shkon ajo, një në veçanti: Italia nuk ka pësuar gola në 10 ndeshjet e fundit.

Më 2021, porta e saj është ende e pastër dhe për të gjetur ekipin e fundit, të aftë për t’iu shënuar një gol axurrëve, duhet të kthehemi te 14 tetori 2020. Në atë kohë, një ndeshje e vlefshme për xhiron e katërt të Ligës së Kombeve, kundër Hollandës, u luajt në Bergamo. Dhe për ta mposhtur Dunnarumma mendoi Van de Beek, ai që gjeti golin në minutën e 25-të.

Që atëherë, portierët e Italisë nuk e kanë nxjerrë topin nga rrjeta e tyre, duke barazuar atë që bëri Italia e Vicinit midis viteve 1989 dhe 1990, ndërsa në ndërkohë janë shënuar 31 gola. Një rezultat i pabesueshëm që përkthehet në 10 fitore radhazi, pa pësuar asnjë gol. Por ka edhe më shumë.

Një mbrojtje kaq e fortë, e kombinuar me një sulm kaq të frytshëm, garanton një vazhdimësi të rezultateve “historike”. Duke fituar kundër Zvicrës, në fakt, të besuarit e Roberto Mancini zgjatën serinë e rezultateve të dobishme radhazi në 29.

Italia nuk ka humbur që nga 10 shtatori 2018. Në atë kohë ishte Portugalia, që i mundi axurrët 1-0 në një ndeshje të Ligës së Kombeve. Që nga sfida e “Da Luz” në Lisbonë kanë ardhur 24 fitore të shoqëruara me 5 barazime.

Kjo do të thotë që rekordi historik i Vittorio Pozzo për Italinë është vetëm një hap larg. Midis 24 nëntorit 1935, ndeshjes Itali-Hungari 2-2, dhe 20 korrikut 1939, Finlandë-Itali 2-3, ai ekip arriti të qëndronte i pamposhtur për 30 ndeshje. Në atë periudhë, axurrët fituan një Kupë Ndërkombëtare, Lojërat Olimpike 1936 dhe Kampionatin Botëror 1938.

Prandaj, kundër Uellsit, Italia do të ketë një arsye më shumë për të mos humbur. Jo vetëm do të jetë vendi i parë në Grupin A të “Euro 2020” për të, por gjithashtu mundësia e barazimit të një rekordi, që qëndron në fuqi për 82 vite.