Kryesore 10 “të lëkundurit” e opozitës

10 “të lëkundurit” e opozitës

Tashmë që KQZ ka nisur procesin e zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr të opozitës, kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e parë të kandidatëve në listat shumëemërore të PD dhe LSI, që mund ta pranojnë mandatin dhe të bëhen pjesë e Parlamentit.

Burime nga Selia Blu bëjnë me dije se kanë marrë firmat e gati të gjithë kandidatëve, ndërsa 4 prej tyre nuk pranuar të firmosin paraprakisht refuzimin e mandatit. Bëhet fjalë për dy kandidatë në listat e Tiranës, Erion Piciri dhe Selami Jenishehri. Në Korçë është Ligoraq Karamelo që nuk ka firmosur refuzimin, ndërsa në Berat ai që nuk pranon të ndjekë vendimin politik të Partisë Demokratike është kandidati Lefter Maliqi. Këta 4 kandidatë përfliten si emrat me probabilitetin më lartë mes atyre në listat e demokratëve, që mund të zënë vendet e lëna bosh në Parlament.

LSI ka më pak mandate, por janë më të shumtë emrat e atyre që përfliten si deputetë të ardhshëm. Në Elbasan jepet gati i sigurt emri Enver Roshit, në Durrës Edlira Hyseni i tha Top Channel se ende nuk ka vendosur, por edhe nëse ajo refuzon, pasardhës në listë është Flamur Gjuzi që gjithashtu mendohet se mund ta pranojë mandatin. Në Berat pritet të mos ndjekë linjën e partisë Klajdi Qama, ndërsa në Tiranë janë tre emra. Një prej tyre është Ylli Shehu që në mandatin e kaluar u hodh nga republikanët te LSI. Ralf Gjoni deklaroi publikisht se do të vendosë larg kolektivitetit partiak dhe në konsultim me miqtë ndërkombëtarë. Ai publikoi edhe një foto nga takimi me europarlamentarin Knut Fleckenstein, kundër të cilit reagoi në grup LSI. Në listën e kësaj partie në Tiranë gjendet edhe emri i Bora Panajotit, e cila gjithashtu pritet të pranojë mandatin.

Me aleatëve të tjerë, kreu i demokristianëve, Nard Ndoka vijon prej gati dy javësh qëndrimin në Bruksel, arsye për të cilën ende nuk e ka dorëzuar mandatin. Ndërsa kreu i Partisë Agrare, Agron Duka, i tha Top Channel se mund ta pranonte mandatin vetëm nëse do të ketë sinjale pozitive nga ana e mazhorancës për ndryshimin e sistemit zgjedhor.