Extra 101-vjeçarja që i mbijetoi gripit spanjoll, Luftës dhe mundi plot tre herë...

101-vjeçarja që i mbijetoi gripit spanjoll, Luftës dhe mundi plot tre herë Covid-in

I ka mbijetuar pandemisë së gripit spanjoll, është martuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në sfondin e bombardimeve; ka rritur gjashtë fëmijë, përfshirë dy të bashkëshortit nga një martesë e mëparshme. Ka jetuar gjithmonë në fshat, e rrethuar nga afeksioni i nipërve dhe mbesave. Sfida e fundit për 101-vjeçaren italiane Maria është koronavirusi, i kaluar edhe ai me sukses. Megjithatë, ka qenë një betejë e gjatë: tre herë tamponi pozitiv gjatë nëntë muajve.

Historia, të cilën edhe mjekët e kanë të vështirë ta shpjegojnë, vjen nga Valtellina (sipas Provincës së Sondrio): Maria Orsingher lindi më 21 korrik 1919 në fshatin e vogël Gaggio, në Ardenno, Itali.

Një jetë e kaluar në fusha, kafshët për t’u kujdesur dhe shtëpia. Ajo nuk ka pasur asnjëherë sëmundje përveç atyre që kishin të bënin me moshën. Në 2009 u transferua tek vajza e saj në Buglio në Monte, dhe së fundmi, gjashtë vjet më parë, në azilin e Ardenno-s. Aty në fillim të pranverës rezultoi pozitive për Covid-19.

Ajo u trajtua në spital dhe u shërua, për t’u kthyer sërish pak muaj më pas. Pasi u shërua për së dyti dhe tamponi e tregoi negative, në fund të tetorit u sëmur sërish me Covid, këtë herë plotësisht asimptomatike.

Ekspertët shpjegojnë se rastet e ri-infektimit mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Ata shtojnë se nuk përjashtohet që disa tamponë të japin një përgjigje të rreme, sepse ngarkesa virale është aq e ulët saqë nuk reflektohet në tampon. Ka të ngjarë që edhe virusi të ketë mbetur në mukozë dhe është zbuluar sërish në tetor.

“Ka pasur disa episode të testeve negative në pacientë të shëruar, të cilat u pasuan nga një pozitivitet i ri që zgjati për një kohë të gjatë për një nga arsyet e përmendura më lart”, thotë Carlo Signorelli, profesor i Higjienës në Universitetin San Raffaele në Milano. Por ka gjëra që as shkenca nuk mund t’i shpjegojë ndonjëherë, si forca e pathyeshme e kësaj të moshuare.