Aktualitet 108 gra dhe fëmijë të luftëtarëve shqiptarë të ISIS duan të kthehen

108 gra dhe fëmijë të luftëtarëve shqiptarë të ISIS duan të kthehen

Përpara pesë vitesh një eufori e pakuptueshme e shumë njerëz në botë, bëri që shumë prej tyre të bashkoheshin me organizatën terroriste të quajtur ISIS, fatkeqësisht ndër ta një pjesë ishin edhe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Shumë prej “xhihadistëve” morën me vete dhe familjet duke i ekspozuar, edhe më shumë ndaj dhunës psikologjike dhe fizike. Tashmë që ISIS është drejt mposhtjes, shumë fëmijë dhe gra shqiptare enden nëpër kampe të ndërtuar nga forcat kurdë. Të dhënat e mbledhura së fundmi nga media ballkanike, “Balkan Insight” tregojnë se në kampe ka të paktën 85 fëmijë të lindur nga gratë shqiptare, kosovare dhe maqedonase, të cilët qëndrojnë në kampin “Al Hol” në Sirinë verilindore.
Ndër të tjera thuhet se aktualisht një grup prej 108 gra dhe fëmijë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut duan të kthehen në shtëpitë tyre. Sipas një studimi të vitit 2017 nga Qendra Soufran në Nju Jork, një organizatë hulumtuese për sigurinë globale, vetëm atë vit në shtetin Islamik kishte rreth 90 veta nga Shqipëria,138 nga Kosova dhe 140 nga Maqedonia veriore.
Kalifati mund të jetë rrëzuar dhe ideologjia e ISIS po shkon drejt fundit, por rruga e fëmijëve dhe grave për t’u kthyer në shtëpi është më e ndërlikuar se sa mendohej, pasi jo vetëm për vendet e Ballkanit, pasi ka nga ata që nuk i dëshirojnë që të kthehen.

Sipas zyrës së Kombeve të bashkuara, në kampin Al-Hol aktualisht ka rreth 73.000 njerëz që përveç faktit që jetojnë në kushte të vështira, janë edhe në panik se çdo të bëhet me ta. Në një tjetër investigim të kryer ditë më parë nga BBC tregonte se gratë që vazhdojnë të kenë ide ekstremiste mbahen të veçanta dhe nën vëzhgim gjatë gjithë kohë, pasi mendohet se do t’ia përçojnë edhe fëmijëve. Por, ka shumë të tjera, ndër to edhe gra shqiptare të cilat janë të dëshpëruara për t’u kthyer në shtëpi. Zyrtarë në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë shprehur se gratë dhe fëmijët që kanë jetuar në kampe gjatë gjithë kohës, kanë nevojë për kujdes të veçantë, sidomos të miturit të cilët nuk kanë qasje për shkollim dhe mund të preken nga sëmundje ose të abuzohet me ta.
Në investigimin e kryer del në pah edhe veprimtaria e shtetit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Sipas të dhënave vetëm Ministria e jashtme e Shkupit është shprehur se nuk ka juridiksionin për të lehtësuar kthimin e shtetasve të tyre nga Siria.

Ndërsa Bedri Elezi, drejtor i studimeve të sigurisë në Institutin për Studime Ndërkombëtare në Kosovë, ka thënë se vendet e kanë lënë pas dore këtë çështje. Ai ka treguar se në vitin 2017 instituti kontaktoi me gjashtë gra dhe 21 fëmijë shqiptare të cilët donin të ktheheshin në Kosovë, por nuk pati asnjë zgjidhje nga qeveria.
Ndërkohë që Elodie Schindler, zëdhënëse e Kryqit të Kuq thotë se shtetet duhet të inkurajojnë balancimin e çështjes së sigurisë dhe llogaridhënies me nevojat e njerëzve.
“Vendet e origjinës nuk mund t’u kthejnë shpinën”, tha ajo.
Të dhënat kanë treguar se, kushtet e kampit janë të këqija, nuk ka kanalizime, gjithandej mban erë të keqe dhe askush nuk ka një përgjigje për gratë dhe fëmijët të cilat vuajnë pasojat e burrave të tyre ekstremist. Gjithashtu, thuhej do të ndërtohej një tjetër kamp në Irak për të pakësuar popullsinë në Al- Hol, por a është kjo zgjidhja e duhur për gratë dhe fëmijët që duan të kthehen në shtëpitë e tyre?