Kryesore 108-vjetori i shpalljes së Pavarësisë: Meta dhe Rama “respektojnë” distancat

108-vjetori i shpalljes së Pavarësisë: Meta dhe Rama “respektojnë” distancat

Sot bëhen 108 vjet nga shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor të 1912-ës në Vlorë. Ky vit e gjen Shqipërinë në një moment të vështirë për shkak të pandemisë dhe nuk do të lejohen festimet si vitet e tjera.

I pari që ka uruar këtë ditë të shënuar ka qenë kryeministri Edi Rama. Ai ka shpërndarë në rrjetet sociale një citim nga Ismail Qemali.

“Flamuri i ynë n’atdhenë t’onë të lirë. Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipërija”, citon Rama.

Kryeministri veç ditës së shpalljes së Pavarësisë ka kujtuar për Adem Jasharin ndërsa një urim ka edhe për Hashim Thaçin.

“Njëkohësisht në këtë ditë që është edhe dita e lindjes së komandantit legjendar të luftës çlirimtare të Kosovës dëshiroj t’i uroj festën e pavarësisë në ditën e flamurit presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij që sot nuk gjenden në shtëpi”, tha Rama.

Meta, Rama dhe Ruçi “respektojnë” distancat

Masat e ndërmarra në kushtet e pandemisë nuk ka penguar mbajtjen e ceremonisë për 108-vjetorin e pavarësisë që si çdo vit është zhvilluar në “Qytetin e Flamurit”.

Presidenti Meta, kryeparlamentari Ruçi dhe kryeministri Rama kanë respektuar distancën që u duk qartë që nuk ishin thjesht nga rreziku i infektimit, por për shkak të përplasjeve që nuk kanë munguar në 2 vitet e fundit mes krerëve të institucioneve shtetërore.

Mesazhin e tij presidenti Ilir Meta për Pavarësinë e dha vetëm nga rrjetet sociale pasi nuk u ndal të komunikonte me mediat, por nxitoi të largohej pas ceremonisë.

“Të punojmë dhe angazhohemi çdo ditë për ta mbrojtur simbolin tonë të shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i paprekur, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat e bijtë më të mirë të kombit. 108 vite janë mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern, për përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Urime për 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit! Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar dhe shqiptarët kudo ndodhen”, shkruante Meta.