Aktualitet 109 vjetori i Policisë së Shtetit, Nano: Të mos e shpërdorojmë besimin...

109 vjetori i Policisë së Shtetit, Nano: Të mos e shpërdorojmë besimin e qytetarëve

Në 109 vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, kreu i saj Gledis Nano apeloi për mos shpërdorim të besimit të qytetarëve, që siç tha sytë i kanë të drejtuara nga policia.

“Sytë dhe vëmendja e qytetarëve janë më së shumi të drejtuara nga ne duke na qortuar për gabimet dhe duke na motivuar e shtyrë të reflektojmë për të bërë detyrën sa më mirë, që në rrugët e vendit të ketë sa më pak aksidente rrugore, sa më pak krime e sa më shumë siguri në shkolla, parqe, lokale, banesa e kudo. Ndaj le të punojmë me të gjitha mundësitë e kapacitetet tona, të mos e shpërdorojmë këtë besim dhe pa dashur të vrasim shpresën e së ardhmes duke treguar neglizhencë apo arrogancë. Është koha të fitojmë sa më shumë vetëbesim e të reagojmë plot siguri e maturi që t’ju ofrojmë qytetarëve një shërbim sa më cilësor, të tregohemi human e social dhe me kulturë me qytetarët por edhe të vendosur e të ashpër me shkelësit e ligjit. Vetëm kështu do t’ia dalim që brezat që do të vijojnë, të na kujtojnë dhe respektojnë për vlerat që mundëm të krijonim, kontributin e sakrificat tona për të krijuar një të ardhme të sigurtë për veten dhe fëmijët tanë.”

Ndërsa Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se tashmë policia e ka krijuar një standard të lartë profesionalizmi dhe autonomie. Ai solli në vëmendje menaxhimin me sukses të protestës së fundit në Tiranë.

“Dëshmi e qartë e kësaj është dhe menaxhimi i ngjarjes se fundit ku policia tregoi me profesionalizëm të lartë, pjekuri dhe maturi për t’u admiruar. Një situatë e pangjashme në botën e qytetëruar, absurde për nga arsyeja, primitive për nga mënyra dhe brutale për nga realizimi. Një situatë ku ishte e vështirë të ndaje kufirin se ku mbaronte e drejta për të protestuar, ku mbaronte e drejta për të ushtruar lirisht aktivitetin politik, dhe detyrimin për të parandaluar e shmangur çdo pasojë kriminale kundër personave apo pronës. Dhe me krenari e them që policia tregoi dhe dëshmoi që ka një nivel të lartë profesionalizmi. Përgëzime!”.