Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar një telegram urimi ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë.
Në letër thuhet se SHBA-ja është e interesuar që ta vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën dhe të ndihmojë integrimin e saj në rrugën evropiane.
“Lidhjet mes dy popujve tanë mbetet të forta, bazuar në përkushtimin e përbashkët për vijimin e zhvillimit të Kosovës si dhe forcën tuaj të qëndrueshme si një vend sovran, i pavarur, multietnik dhe demokratik”.
Ndryshe nga letra që i dërgoi pak ditë më parë presidentit serb Aleksander Vuçiç, adresimi që presidenti Biden ia bëri Kosovës është më personal.
Siç shkruan ai, Kosova ka një vend të veçantë për familjen e tij për shkak se djali i tij i ndjerë, Beau Biden, kishte punuar në shtetin më të ri në Europë.
Në letrën e tij, Presidenti amerikan ka shprehur gatishmërinë e tij që të punojë me qeverinë e re. “SHBA mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje. Ndërkaq, për mua personalisht, Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti të kohës gjatë së cilës djali ynë i ndjerë Beau Biden punoi për të siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet ndër tjera në letrën e presidentit Joe Biden.
Ndërkohë Osmani shkruan në Facebook: “Sot kam pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku ai rithekson raportet e forta ndërmjet dy popujve tanë, mbështetjen e vazhdueshme e të fuqishme të SHBA-ve si dhe nevojën që dialogu me Serbinë të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”.
Ditën e nesërme Kosova kremton 13-vjetorin e Pavarësisë.