Kryesore 1300 policë në gatishmëri për protestën e opozitës

1300 policë në gatishmëri për protestën e opozitës

Rreth 1300 efektivë policie, kamera me rezulucion të lartë, barriera metalike dhe shtylla të lyera me graso, janë disa prej masave të marra për mbarëvajtjen e protestës së 16 Marsit të njoftuar nga opozita.  

Reparti special i forcave RENEA, por edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë do të vendosen në pjesën e pasme të godinës së Kryeministrisë.

Mes Kryeministrisë dhe Piramidës janë vendosur barriera metalike për të penguar hyrjen e protestuesve drejt selisë së qeverisë.

Mësohet se pas protestës së 16 Shkurtit, ku një grup personash tentuan të thyejnë me forcë derën e Kryeministrisë për t’u futur brenda institucionit, Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë marrë masa shtesë për mbarëvajtjen e protestës.

Burime nga policia thanë se disa kamera me rezulucion të lartë janë instaluar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të bërë të mundur identifikimin e personave problematikë.

Ekspertë të sigurisë të premten paradite zhvilluan një takim në Kryeministri, me qëllimin e kontrollit të perimetrit të sigurisë së institucionit. Ata shoqëroheshin edhe nga drejtues të lartë të zjarrfikëses. Referuar disa mediave në vend, forcat zjarrëfikëse do të vendosen sërish brenda godinës së Kryeministrisë dhe pritet të përdorin ujin, nëse individë të caktuar tentojnë të hyjnë në ambientet e brendshme të institucionit.

Mësohet se shtyllat elektrike përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku janë instaluar kamerat e reja, janë lyer me graso për të penguar çdo tentativë të ngjitjes në to për t’i dëmtuar kamerat.

Në vazhdën e masave mbrojtëse, gjithashtu edhe dera kryesore e Kryeministrisë është siguruar më tepër, përmes ndërtimit të një skele të mbuluar me rrjetë.

Kujtojmë se gjatë protestave të fundit të zhvilluara nga opozita, Policia e Shtetit në momentin që protestuesit kanë çarë kordonin e policisë dhe kanë tentuar të sulmojnë institucionet ka hedhur në drejtim të tyre gaz lotsjellës.

E njëjta taktikë pritet të përdoret edhe në protestën e të shtunës paradite. Organizatorët vijojnë të mbajnë të fshehtë skenarin e protestës. Krerët e opozitës kanë deklaruar se protesta do të jetë madhështore dhe pafjalime, por pa përcaktuar orarin se sa do të zgjasë ajo.