Bota 14 muaj i shtruar në spital, vdes pacienti me Covid. Gruaja: Nuk...

14 muaj i shtruar në spital, vdes pacienti me Covid. Gruaja: Nuk jetonte dot më kështu

Ka ndërruar jetë pas më shumë se 1 viti pacienti që qëndroi i shtruar në spital 14 muaj në Britani të Madhe.

Jason Kelk 49 vjeç u transferua në spital më 31 Mars të vitit të kaluar dhe qëndroi aty deri ditën e djeshme, kur u transferua në një bujtinë i rrethuar nga familjarët e tij.

Bashkëshortja e tij, Sue Kelk, ka thënë për mediat se Jason kishte bërë betejë të fortë dhe së fundmi kishte vendosur të ndërpriste trajtimin.

“Njerëzit mund të mos mendojnë se ai ka qenë trim, por unë e di që ishte. Mendoj vërtetë se ishte. Mendoj se ishte gjëja më e guximshme që ai mund të bënte, të thoshte që nuk dua të jetoj më kështu”, tha gruaja e tij.

Jason vuante nga diabeti i tipit 2 dhe astma. Virusi Covid-19 i kishte shkatërruar mushkëritë dhe veshkat. Gjatë kurimit të tij, ka patur momente kur gjendja stabilizohej.

Por shëndeti iu përkeqësua sërish, deri sa ai vendosi që të dilte nga spitali dhe të mos vazhdonte më trajtimin. Familjarët e tij thonë se ai nuk mund të vazhdonte më të jetonte në këtë mënyrë.

“Ai thjesht dëshironte që gjithçka të përfundonte. Antibiotikët e kishin bërë punën, por shpirti i tij ishte zhdukur”, u shpreh bashkëshortja.