Aktualitet 17 të lënduar nga fishekzjarret natën e ndërrimit të viteve

17 të lënduar nga fishekzjarret natën e ndërrimit të viteve

Policia e Shtetit përgjatë ndërrimit të viteve ka qenë në gadishmëri, me qëllim garantimin e sigurisë në vend. Në një njoftim të kësaj të hëne, policia ka bërë një bilanc të punës dhe ngjarjeve të ndodhura përgjatë këtij 24 orëshi. Në total, 17 persona rezultojnë se kanë mbetur të lënduar lehtë, për shkak të hedhjes së fishekzjarreve, një person ka gjetur vdekjen në rrethana ende të panjohura, ndërsa një tjetër ka marrë dëmtim në sy.

“Gjatë ndërrimit të viteve si rezultat i hedhjes së fishekzjarreve, në të gjithë vendin janë lënduar lehtë 17 persona, të cilët kanë marrë mjekim dhe janë larguar në banesat e tyre, ndërsa 1 shtetas nga Dibra është transportuar për në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar pasi ishte dëmtuar në sy. Është dëmtuar gjithashtu 1 automjet i parkuar, si pasojë e përdorimit të fishekzjarreve. Në Laç K.Gj, 16 vjeç, banues në Sanxhak, është gjetur i vdekur nga familjarët në taracën e banesës së tij me një dëmtim në koke. Trupi i viktimës është dërguar në Tiranë për një ekspertizë mjeko-ligjore më të specializuar për të përcaktuar nga se i është shkaktuar dëmtimi që ka humbur jetën”, sqarohet në njoftim.

“Në kuadër të garantimit të rendit e sigurisë publike, parandalimit të ngjarjeve kriminale apo ato rrugore, mori një sërë masash shtesë me rastin e festës së ndërrimit të viteve. Njësia Antieksploziv e RENEA-s, duke përdorur qentë antieksploziv, gjatë orëve të mbasdites së datës 31 Dhjetor 2017 kanë kontrolluar parkingun e nëndheshëm në sheshin ‘Skënderbej’, ku pati festime. Ky shesh më pas është marrë nën kontroll nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe në bashkëpunim me Policinë private, kanë kontrolluar automjetet që u parkuan deri në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar 2018. Kontrolle të imtësishme nga agjentë të antiterrorit janë kryer në të gjitha sheshet kryesore ku do kryheshin festime me rastin e ndërrimit të viteve”.

Policia thotë se nuk ka patur ngjarje kriminale si grabitje me dhunë ose me armë, apo plagosje e vrasje, si dhe nuk është shënuar asnjë aksident me pasojë vdekjen apo me plagosje të rënda.

“Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 aksidente me pasoja të lehta. Policia Rrugore në të gjithë vendin ka vijuar gjatë gjithë orëve të para të mëngjesit kontrollin për parandalimin e drejtimit të automjetit nën efektin e akoolit apo në gjendje të dehur, për shpejtësinë tej normave të lejuara si dhe për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, por edhe për shkelje të tjera që janë burim aksidenti. Në të gjithë vendin janë pezulluar 32 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, nga to 14 patenta vetëm në Tirane. Nga Policia Rrugore e Tiranës, gjatë orëve të para të mëngjesit është arrestuar 1 drejtues mjeti për drejtim mjeti në gjendje të dehur”.