Bota 17-vjeçarja vdes nga “sëmundja e puthjes”

17-vjeçarja vdes nga “sëmundja e puthjes”

Një adoleshente ka humbur jetën nga “sëmundja e puthjes”, ose siç njihet ndryshe mononukleoza, ndërkohë që doktorët besonin se kishte pësuar goditje në tru. Ariana Rae Delfs nga Jacksonville i Florida-s kishte përjetuar fillimisht simptoma të ftohti dhe dhimbje koke.

17-vjeçarja kishte bërë një numër të madh analizash, duke përfshirë edhe atë të mononukleozës, por doktorët nuk e kishin kuptuar se çfarë kishte. I ati i adoleshentes ka treguar për mediat se gjendja e Arianës u përkeqësua aq sa u detyruan ta dërgonin në spital.

“Shkoi në banjo dhe krejt papritur nuk mund t’i ndjente këmbët. Fjalët ishin të paqarta. Ajo thjesht belbëzonte dhe mesa duket dëmtimi në tru sa kishte filluar”, tregoi ai.

Më vonë doktorët e diagnostikuan me mononukleoze. Kjo sëmundje shkaktohet nga virusi Epstein-Barr dhe përhapet përmes lëngjeve trupore dhe pështymës. Fatkeqësisht virusi kishte shkaktuar dëmtime të rënda në trurin e Arianës.

“Truri i saj kishte shkuar në pikën ku nuk mund të funksiononte më”, është shprehur i ati i saj, i cili njoftimin për vdekjen e së bijës e bëri me anë të rrjeteve sociale.