Bota 20 milionë të prekur nga Covid-19: Shtohen infektimet në Europë, rekord rastesh...

20 milionë të prekur nga Covid-19: Shtohen infektimet në Europë, rekord rastesh në SHBA e Brazil

Koronavirusi ka arritur një tjetër shifër të lartë prej 20 milionë të prekurish në mbarë globin, mes të cilëve mbi 734 mijë kanë humbur jetën që prej nisjes së pandemisë.

Virusi ka shfaqur ritme tepër të larta infektimi gjatë dy javëve të fundit në të gjithë vendet e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Spanja dhe Rumania janë vendet më problematike të 14 ditëve të fundit. Në Spanjë numërohen rreth 42 mijë raste të reja për këtë periudhë kohore, ndërsa në Rumani mbi 18 mijë.

Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është e parafundit për nga numri i rasteve të këtyre 14 ditëve, ku mes 6 vendeve renditet e 5-ta me 1 638 raste infektimesh. Numrin më të lartë të infektimeve e ka pasur Serbia me mbi 4 600 raste, ndërsa më të ulëtin Mali i Zi me 1 019 të tilla.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara dhe Brazili arrijnë shifra të frikshme, duke raportuar respektivisht më shumë se 5 milionë dhe 3 milionë raste me koronavirusit. Viktimat në SHBA janë mbi 160 mijë ndërsa në shtetin amerikano latin kanë humbur jetën më shumë se 100 mijë persona. Presidentët  e të dyja vendeve Donald Trump dhe Jair Bolsonaro, e kanë minimizuar në disa raste impaktin e virusit dhe kanë kundërshtuar masat qe mund të dëmtojnë ekonominë.

Me shqetësim po ndiqet rritja e rasteve edhe në Europë, me Britaninë e Madhe që raportoi mbi 1 mijë infektime të reja, për herë të parë që prej muajit qershor. Krejt e ndryshme paraqitet situata në Zelandën e Re, ku është shënuar dita e 100 pa asnjë rast të brendshëm me Covid-19.