Bota 2019 – Elefanti brenda BE-së

2019 – Elefanti brenda BE-së

Migracioni – do të mbetet në temë e rëndësishme në Europë edhe në vitin 2019. Prandaj kush do të luftojë populizmin në rritje, duhet të kujdeset para së gjithash për këtë temë, mendon Christoph Hasselbach.

Nga Christoph Hasselbach-DW

Ku ka mbetur ajo fryma europiane e bashkëpunimit dhe pajtimit në kapërcyellin e viteve? Mjafton të shohësh situatën në disa vende të BE-së për të kuptuar, se Bashkimi Europian nuk i ka punët mirë.

Vatra krize kudo

Britania e Madhe kërkon të dalë nga Bashkimi Europian, madje ka shumë rrezik që kjo dalje të bëhet pa asnjë marrëveshje. Në Francë personaliteti që kapi majat aq shpejt, Emmanuel Macron është rrëzuar keq. Qytetarët me jelekë të verdhë vazhdojnë protestat, madje disa as nuk hezitojnë të përdorin dhunën. Ekstremistë si nga e djathta edhe e majta përpiqen ta përdorin këtë atmosferë.

Qeveria populiste e Italisë iu kundërvu hapur Komisionit Europian në grindjen për buxhetin. KE i ka bërë shumë lëshime Italisë, ka hequr dorë nga një procedurë për deficitin buxhetor dhe e shet tani marrëveshjen si fitore të arsyes mbi konfrontimin. Paturpësia e Romës ka për të pasur edhe  pasues të tjerë.

Qeveritë e Polonisë dhe Hungarisë në grindjen për shtetin ligjor me BE bëjnë pak lëshime, e vetëm atëherë kur është e pamënjanueshme më. Në Spanjë, një nga bastionet e fundit dhe e paprekur në masë nga populizmi i djathtë, partia populiste në rajonin e Andaluzisë, Vox ka arritur të shtojë votat. Një parti që nderon diktatorin Franco.

Frika nga zgjedhjet europiane

Populizmi i djathtë është një fenomen në Europë. Partitë populiste po rriten në çdon vend të BE-së. Pjesërisht ato janë në qeveri si në Austri dhe Itali. Qytetarët atje janë të kënaqur. Edhe Gjermania nuk ka mbetur e imunizuar. Megjithëse në Gjermani ndërkohë po vijnë shumë më pak migrantë dhe refugjatë, e megjithëse kancelarja, Angela Merkel i ka thënë prej kohësh lamtumirë politikës së saj liberale ndaj refugjatëve, përqindjet e sondazheve për AfD-së nuk po bien. Në zgjedhjet e landeve në Lindje, në vjeshtë të këtij viti, kjo parti mundet që të dalë partia më e fortë, ose më e pakta e dyta në renditje.

Ndërkohë testimi vendimtar për atmosferën në BE është në pranverën e vitit 2019. Të gjitha sondazhet parashikojnë një rritje të partive populiste dhe antieuropiane në Parlamentin Europian. Forcat e moderuara dhe të arsyeshme e kanë edhe më të vështirë.

Merkel dhe pasojat

Pjesërisht arsyet për këtë radikalizim politik janë të ndryshme në çdo vend anëtar të BE-së. Në Francë është deliri i presidentit, Emmanuel Macron. Në Spanjë suksesi i Vox është një lloj reagimi ndaj lëvizjes separatiste katalane. Në Itali atmosfera kundër BE lidhet më shumë me pakënaqësinë e qytetarëve për gjendjen ekonomike, që sigurisht nuk përmirësohet nga recetat populiste.

Por një temë e përbashkët për të gjitha këto vende është migracioni – një migracion që në masë të caktuar është i pakontrolluar dhe i padëshiruar. Për sa kohë që politikanët e partive të moderuara nuk gjejnë një përgjigje për këtë çështje, atmosfera në BE nuk ka për të ndryshuar. Angela Merkel e ekzagjeroi para tre vjetësh me fjali si, kufijtë as nuk mund të mbyllen dhe se nuk ka një kufi maksimal për azilin. Ajo donte të tërhiqte pas vetes të gjithë BE që të ndiqte politikën e saj me gabime, por mbeti e izoluar. Pasojat ende ndjehen. Kush do ta përmirësojë gjendjen në BE, duhet të fillojë pikësëpari këtu: Njerëzit duan siguri, ata duan që shtetet e BE si një e tërë të rifitojnë kontrollin mbi migracionin.