Aktualitet 25 raste të reja me Covid-19, Tirana asnjë të infektuar në 24...

25 raste të reja me Covid-19, Tirana asnjë të infektuar në 24 orët e fundit

Ka shkuar në 609 numri i të infektuarve në vendin tonë, nga 6017 teste të kryera në total.

Në një deklaratë për mediat, Albana Fico nga Instituti i Shëndetit Publik, bën me dije se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 25 raste të reja të prekur me koronavirus, 17 ndër ta në Krujë, nga 242 teste të kryera.

Sot është dita e parë që nga fillimi i epidemisë që Tirana nuk ka asnjë rast të ri.

Covid-19 deri më tani u ka marrë jetën 26 personave, ndërsa janë shëruar 345 persona.

Në spitalin Infektiv, Covid 1, aktualisht ndodhen të shtruar 32 pacientë, 5 në terapi intensive, ndërsa në spitalin Covid2, “Shefqet Ndroqi”, ndodhen të shtruar 8 pacientë, 5 në terapi intensive në gjendje të rënduar.

Harta e të prekurve është zgjeruar në Kurbin e Krujë.

“Pavarësisht luhatjeve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është e kontrolluar. Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme. Në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është e rëndësishme që qytetarët të respektojnë masat e distancimit fizik, si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit. Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40″.