Extra 25 thënie brilante nga Frojdi që të njihni veten dhe kush ishte...

25 thënie brilante nga Frojdi që të njihni veten dhe kush ishte babai i psikanalizës

Më 6 maj 1856 lindi “babai” i psikanalizës Sigmund Freud (Zigmund Frojd).

Sigmund Freud lindi në Moravi, rajon në pjesën lindore të Republikës Çeke, ndërsa pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Vjenë të Austrisë.

Ai studioi për mjekësi dhe nga fundi i shekullit XIX-të, doli me disa ide të reja shumë interesante rreth mendjes së njeriut. Gjithsesi punimin e tij të parë shkencor Freud ia kushtoi kafshëve të detit, përfshi seksualitetin e ngjalave.

Ai ishte një nga shkencëtarët e parë që kreu kërkime serioze rreth mendjes, duke zhvilluar biseda të gjata me pacientët, dhe studionte ëndrrat e tyre për të gjetur shkaqet e problemeve mendore dhe emocionale.

Freud përdorte edhe hipnozën, si mënyrë për të parë nëse pacientët do ta kishin më të lehtë të lehtësonin mendjet e tyre të trazuara. Por në shumicën e rasteve, efektet pozitive ishin të përkohshme.

Freud besonte se të gjitha kujtimet e dhimbshme të fëmijërisë ruhen thellë pa vetëdije në mendje. Kjo pjesë e mendjes, thoshte ai, përmban urime, dëshira dhe përvoja shumë të frikshme për t’u marrë vesh nga të tjerët.

Ai mendonte se këto kujtime mund të sillen në mendjen e vetëdijshme, pacienti do të ndjente sërish dhimbje, por këtë herë personi do t’i përjetonte si një i rritur; do t’i ndjente, shqyrtonte dhe së fundmi do t’i kuptonte ato.

Frojdi arsyetonte se duke përdorur këtë metodë, dhimbja dhe trysnia emocionale e së kaluarës do të dobësohej dukshëm; këto ndjenja do të humbitnin forcën e tyre, dhe së shpejti pacienti do të ndjehej më mirë.

Ai doli me propozimin se mendja është e ndarë në tri pjesë: Id, Ego dhe Superego.

Sipas kësaj teorie, Superego vepron si një përmbajtës që udhëhiqet nga vlerat të cilat njeriu i mëson nga prindërit dhe shoqëria.

Puna e Superegos është të mbajë Id-in nën kontroll. Id është tërësisht pa ndjenja, por shërben si ushqim për ndjenjat që kërkojnë kënaqësinë e menjëhershme a plotësimin me çdo kusht të nevojave dhe dëshirave.

Ego – Uni ose Vetja ofron reagim të menjëhershëm për ngjarjet e realitetit. Uni është vija e parë e mbrojtjes e vetes nga tjetri. Uni përpiqet të balancojë dy ekstremet, Id dhe Superego,

Shumë nga teoritë e Freud mbi mënyrën se si funksionon mendja gjithashtu, kishin lidhje të forta seksuale.

Këto ide përfshijnë ato që Frojdi i cilësoi si ndjenjat e shtypura të djemve ndaj nënave, dhe vajzave ndaj etërve.

Frojdi u propozua edhe për marrjen e çmimit Nobel, por edhe pse zbuloi shumë, kontribuoi shumë dhe hartoi teori të rëndësishme, nuk e fitoi kurrë këtë çmim.

Vajza e tij Anna Freud, nisi të shoqëronte nëpër seminare të ndryshme, dhe ndonjëherë e zëvendësonte. Anna ishte fillimisht paciente e të atit, më pas studioi vetë psikanalizën, dhe u angazhua sekretare e tij, infermiere por edhe si kolegia më e besuar.

Ardhja e nazistëve në pushtet në Gjermani dhe përndjekja e hebrenjve, e detyroi Freud të largohet më 1938 në Angli. Më 1923, Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë, dhe për këtë iu nënshtrua dhjetëra operacioneve, që në fillimet e para të sëmundjes në Austri.

Pak pas mbërritjes së tij në Angli, dhimbjet e tij u bënë aq të mëdha, sa që mjeku i tij i injektoi në një rast një dozë vdekjeprurëse morfine më 23 shtator të vitit 1939.

Frojdi është quajtur babai i psikanalizës, edhe pse sot shumë psikologë i kanë hedhur poshtë tezat e tij. Por të gjithë bien në një mendje mbi ndikimin e tij të madh, mbi shkencën e shëndetit mendor.

25 thënie nga Frojdi

1- Qytetërimi zuri fill kur një person i zemëruar hodhi fjalën në vend të gurit.

2- Sa i guximshëm bëhet njeriu, kur është i sigurtë se e duan.

3- Një qytetërim që lë një numër kaq të madh të pjesëtarëve të tij të pakënaqur dhe i çon ata në revoltë nuk e ka merituar dhe nuk e meriton të ekzistojë.

4- Njeriu nuk ia arrin t’i eleminojë komplekset e tij, por pajtohet me to: ato ligjërisht e drejtojnë veprimtarinë dhe sjelljen e tij në botë.

5- Të jesh tërësisht i ndershëm me veten është një ushtrim i mirë.

6- Fëmijët janë krejtësisht egoistë; ata i ndiejnë nevojat e tyre intensivisht dhe përpiqen mizorisht që t’i kënaqin.

7- Ëndrrat janë shpesh më të thella kur ato duken më të çmendura.

8- Nëse dikush ka qenë i përkëdheluri i padiskutueshëm i nënës së tij ai ushqen gjatë jetës një ndjenjë triumfuese, besimin në sukses, i cili jo rrallë sjell me vete suksesin.

9- Iluzionet na mbisundojnë ne, sepse ato na kursejnë në dhimbje dhe na lejojnë të shijojmë kënaqësinë në vend të saj. Prandaj ato duhet t’i pranojmë pa ankime kur ato nganjëherë përplasen me realitetin përballë të cilit shndërrohen në thërrime.

10- Njerëzit janë më moralë se sa mendojnë dhe shumë më tepër imoralë se sa përfytyrojnë.

11- Njeriu është shumë i çmendur kur është i dashuruar.

12- Qëllimi i gjithë jetës është vdekja.

13- Pyetja më e madhe, së cilës nuk i është dhënë kurrë përgjigje dhe së cilës nuk kam mundur t’i jap përgjigje, pavarësisht tridhjetë viteve të kërkimeve në shpirtin e femrës është: “Çfarë do një femër?”

14- Ne nuk jemi kurrë aq të pambrojtur ndaj vuajtjes sa kur dashurojmë.

15- Sa kemi përparuar. Në Mesjetë do të më kishin djegur në turrën e druve. Tani ata mjaftohen të djegin librat e mi.

16- Qëllimi i personalitetit të njeriut është i përcaktuar nga përmasat e problemit, që arrin ta shtyjë atë njeri të lajthisë.

17- Para se të diagnostikoni veten me depresion ose vetëbesim të ulët, sigurohuni që nuk jeni të rrethuar nga budallenjtë.

18- Detyra për të bërë njerëzit të lumtur nuk është pjesë e planit të Krijimit.

19- Mungesa e plotë e seksit është e vetmja gjë që mund të konsiderohet si devijim seksual. Çdo gjë tjetër është vetëm çështje shijeje.

20- Në atë moment kur njeriu fillon të mendojë kuptimin dhe vlerën e jetës, atëherë mund ta konsideroni atë të çmendur.

21- Dashuria e përjetshme, ideale, e spastruar nga të gjitha format e urrejtjes, ekziston vetëm mes të droguarit dhe drogës tij.

22- Sa më shumë i përsosur që është një person së jashtmi, aq më shumë demonë ka brenda vetes.

23- Kur njerëzit më kritikojnë, unë e di se si të mbroj veten. Por unë jam i pafuqishëm përballë lëvdatave.

24- Treguesi i parë i idiotësisë, është një mungesa e plotë e turpit.

25- Një pjesë e madhe e asaj që është e vërtetë brenda nesh nuk kuptohet; dhe ajo që kuptohet, nuk është e vërtetë.