Sport 25 vjet pa legjendën Ayrton Senna

25 vjet pa legjendën Ayrton Senna

Ishte 1 maji i vitit 1994. Përpara 25 vjetëve në Imola humbi jetën Ayrton Senna. Legjenda braziliane, i cili ishte një prej pilotëve më fitues në historinë e Formula 1 dhe një prej më të dashurve nga tifozët. Për Nicky Laudan ishte “thjesht më i madhi”, për Brazilin ishte krenaria e një kombi, ndërsa Michael Schumacher u përlot kur në Monza, në vitin 2000, barazoi rekordin e tij me 41 fitore në cirkuit.

Ayrton Senna adhuronte fluturimet mbi plazh, lexonte biblën dhe përkujdesej për më të dobtit. Edhe tani, në distancën e 25 viteve nga tragjedia në garën e San Marinos, mbetet e vështirë të kuptohet realisht impakti sportiv dhe njerëzor i pilotit brazilian. Ayrton ishte aq special në pistë, sa mori pseudonimin “Magjiku”. Njësoj si magjitë që dhuronte në timon, duke realizuar manovra që pilotët e tjerë, as që mund t’i imagjinonin.

Senna jetoi në një periudhë kur njëvendëshet e Formula 1 ishin të shpejta si tani: e kalonin shpejtësinë 300 km/h, kishin njëmijë kuaj fuqi, por ishin më të rrezikshme dhe më të vështira për t’u drejtuar. Pista e lagur ishte pika e tij më e fortë, sepse prej moshës së vogël stërvitej për të garuar në kushte të rënduara atmosferike, ndërsa të gjithë bashkëmoshatarët e tij qëndronin ngrohtë në shtëpi.

Por, Senna ishte edhe një pilot i cili i studionte me imtësi pistat dhe kundërshtarët. Fakti që do të ishte një kampion i madh, u kuptua prej Çmimit të Madh të Montekarlos në vitin 1984, kur me makinën Toleman, e cila ishte dukshëm inferiore krahasuar me rivalët, spikati mes reshjeve të dendura të shiut. Senna ishte më i shpejtë se të gjithë në Principatë, në garën e fituar nga Prost, i cili më pas u bë rivali i tij më i madh.

Edhe pse Ayrton fitoi tre tituj botëror dhe Prost 4, tifozët donin më tepër Senna-n. Ishte inteligjent, i thellë në mendime dhe një kampion që dinte të qante. Një pilot që përveç talentit dhe punës, nuk dorëzohej përballë sforcos mbinjerëzore fizike dhe psikologjike.

Më 1maj 1994, humbi jetën në pistën e Imolas. Jo për fajin e tij, por për një defekt në makinë, me timonin që u prish në momentin e gabuar. Aksident i cili përloti të gjithë botën, me Ayrton Senna-n që mbeti në memorie si një prej kampionëve më të mëdhenj të Formula 1.