Politika 25-vjetori i krijimit të Shkollës së Magjistraturës, Begaj: Pavarësia juaj sot, do...

25-vjetori i krijimit të Shkollës së Magjistraturës, Begaj: Pavarësia juaj sot, do të thotë vendime të drejta nesër

Ditën e sotme u organizua një ceremoni me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Shkollës së Magjistraturës. Presidenti Bajram Begaj tha gjatë fjalës së tij se krijimi i Shkollës së Magjistraturës 25 vjet më parë përbën një ngjarje me rëndësi për një ndryshim thelbësor në sistemin e drejtësisë në tërësi.

Begaj theksoi se Shkolla duhet që të ruajë një rol më aktiv dhe të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur nga bashkëpunimi me partnerët, donatorët, strukturat dhe rrjetet homologe europiane dhe amerikane.

Me ndryshimet e reja sipas Presidentit, Shkolla e Magjistraturës është përballë sfidave dhe përgjegjësive edhe më të mëdha. Begaj theksoi se puna e tyre ka ndikim përcaktues në cilësinë e prurjeve në sistemin e drejtësisë.

“Botimet dhe kërkimi shkencor të vijojnë të mbështeten e të jenë një instrument ndihmës në funksion të përmirësimit të punës dhe përmbushjes së përgjegjësive të gjithsecilit.  Me ndryshimet kushtetuese, Shkolla e Magjistraturës është përballë sfidave dhe përgjegjësive edhe më të mëdha. Misioni strategjik i formimit profesional të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve të shtetit, kancelarëve, ndihmësve dhe këshilltarëve ligjorë në programin e formimit fillestar apo atë të vazhduar, e vendos Shkollën e Magjistraturës në një pozicion shumë të rëndësishëm dhe kritik, duke qenë pragu i hyrjes së tyre në sistemin e drejtësisë. Për këtë arsye, puna juaj ka një ndikim mjaft përcaktues, në cilësinë e prurjeve në gjithë sistemin e drejtësisë, në formimin e magjistratëve të një niveli të lartë profesional dhe moral, në rritjen e besimit të publikut në figurën e autoriteteve të drejtësisë dhe sistemit të drejtësisë në tërësi. Si një institucion i pavarur ndaj pushteteve të tjera, është shumë e rëndësishme që procesi i rekrutimit dhe vlerësimit të kryhet me objektivitet e transparencë, që mësimdhënia të jetë cilësore dhe institucioni të konsolidojë më tej pavarësinë në ushtrimin e funksioneve kushtetuese. Pavarësia dhe paanshmëria në punën tuaj sot, janë çelësi i pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve nesër. Pavarësia juaj sot, do të thotë vendime të drejta dhe të paanshme nesër”, u shpreh Begaj.

Sipas Presidentit axhenda e Integrimit Evropian duhet të shërbejë si një nxitje për të përmbushur përgjegjësitë institucionale dhe për të rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë.