Kryesore 26 raste të reja me COVID-19, Tirana kthehet në vatrën e vetme...

26 raste të reja me COVID-19, Tirana kthehet në vatrën e vetme të infeksionit

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 26 persona të infektuar me Covid-19, të gjithë në Tiranë.

Të gjitha zonat e tjera në Shqipëri rezultojnë për të dytën ditë rradhazi pa raste të reja.

Nga 26 rastet e reja, 12 të infektuar janë personel shëndetësor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në total janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të rastit të identifikuar tre ditë më parë.

Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit janë të shëruar 11 qytetarë, duke e çuar në 823 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1076.

Në vendin tonë aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.