Kryesore 3 vdekje të tjera nga COVID-19, shënohet rekord rastesh të reja

3 vdekje të tjera nga COVID-19, shënohet rekord rastesh të reja

Sot është shënuar një numër rekord infektimesh nga koronavirusi në 24 orë në vendin tonë, që prej nisjes së pandemisë. Në një deklaratë për mediat, Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik, bën me dije se janë regjistruar 90 raste të infektuarish, mes tyre dhe një fëmijë 2 muajsh.

3 është numri i viktimave në 24 orët, ndërsa në spital aktualisht ndodhen të shtruar 80 pacientë të prekur nga Covid-19.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet me një thirrje ndërgjegjes individuale të secilit prej jush: Tregoni kujdes me respektimin e rregullave sepse shkujdesja e vërejtur favorizon përhapjen e virusit, i cili po prek çdo moshë, pa dallim.

Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyni në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 90 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 35 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 10 në Kurbin, 8 në Vlorë, 6 në Shkodër, 4 në Përmet, 3 në Pogradec, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kavajë, Lushnje, nga 1 rast në Kolonjë, Vau i Dejës, Kamëz, Durrës”.

Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet me raste të shtuara ku aktualisht po trajtohen 80 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar. Ndërsa po merr trajtim spitalor edhe një fëmijë dy muajsh, i prekur nga Covid19 nën kujdes nga stafi i pediatrisë infektive, në gjendje të stabilizuar bashkë me nënën.

Fatkeqësisht 3 qytetarë kanë humbur betejën me Covid19 gjatë 24 orëve të fundit. Një 57 vjeçar nga Shkodra, një 65 vjeçar nga Tirana dhe një 76 vjeçar nga Durrësi, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1592 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 1088 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.

Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura:

Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.

Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Covid19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19”.