Kryesore 33 fakte të rralla për Ajnshtajnin: Sekretet e njeriut më të zgjuar...

33 fakte të rralla për Ajnshtajnin: Sekretet e njeriut më të zgjuar të të gjitha kohërave

Albert Ajnshtajn është shkencëtari më i zgjuar që ka jetuar ndonjëherë. Një prej arritjeve që ktheu faqen e historisë së shkencës ishte ekuacioni E=mc2. Ai fitoi çmimin “Nobel” në vitin 1921 për punën në lidhje me efektin fotoelektrik. Ai zhvilloi Teorinë e Relativitetit, të cilën e kishte përfunduar me kohë, por u deshën 25 vite që të tjerët ta kuptonin.

Siç ndodhi së fundmi edhe me valët gravitacionale që u pranuan vitin e kaluar zyrtarisht nga shkenca, dhe që u konsiderua si “zbulimi më i madh shkencor i shekullit”.

Albert Ajnshtajni foli për ekzistencën e valëve gravitacionale 100 vjet më parë. Ajnshtajni parashikoi se nëse graviteti apo forca e rëndesës në një zonë të universit ndryshon befas si pasojë e një evenimenti të dhunshëm kozmik, si shpërthimi i një ylli, apo në këtë rast përplasja e dy vrimave të zeza, krijohen valë gravitacionale që përhapen me shpejtësinë e dritës në të gjithë universin duke deformuar kohën dhe hapësirën gjatë lëvizjes së tyre.

Emri Ajnshtajn sot është sinonim me fjalën gjeni. Albert Ajnshtajn është një prej mendjeve më të mëdha të shekullit të 20-të. Disa prej ideve të tij për shkencën, natyrën dhe besimi mund t’ju habisin. Jo më kot është zgjedhur “Personi i Shekullit” nga revista “Time”.

1- Ajnshtajni ishte një bebe e shëndoshë me një kokë të madhe

Kur nëna e Albertit, Pauline, e lindi, koka e tij ishte kaq e madhe dhe e shtrembëruar, sa ajo kujtonte se mos ishte i deformuar. Ngaqë fundin e kokës e kishte shumë të madhe, familja mendoi mos ishte monstër. Megjithatë, ndërsa javët kalonin ata e kuptuan se ishte një fëmijë gati normal me të tjerët. Thuhet se gjyshja e tij ka klithur “është i shëndoshë, është i shëndoshë”, kur e ka pritur të lindte. Ndryshe nga përshtypja e parë, Alberti u rrit normalisht, vetëm se ishte pak i ngadaltë.

2- Ajnshtajni kishte vështirësi në të folur

Kur ishte fëmijë, Ajnshtajni fliste rrallë. Kur e bënte, fliste shumë ngadalë. E mendonte të gjithë fjalinë në kokë dhe e pëshpëriste para se ta thoshte. Këtë e bëri rregullisht deri në moshën 9-vjeçare. Prindërit trembeshin mos ishte i vonuar, por sigurisht më vonë doli se frika e tyre ishte pa baza. Kjo është quajtur sindroma e Ajnshtajnit.

3- Kur Ajnshtajni foli për herë të parë

Një historian ka krijuar një barsoletë. Prindërit e tij ishin të shqetësuar se nuk fliste fare. Kur një mbrëmje foli dhe tha “Supa është e nxehtë”, prindërit e pyetën pse nuk kishte folur më parë. Ai i përgjigjet: Sepse gjithçka ishte në rregull.

4- Ajnshtajni është frymëzuar nga një busull

Kur Ajnshtajni ishte pesë vjeç dhe i sëmurë në shtrat, babai i tregoi diçka që i ndezi interesin në shkencë: Një busull. Ndërsa qëndronte i shtirë, babai i nxori një busull të thjeshtë xhepi. Ajo që i interesonte Ajnshtajnit të ri ishte se sa herë që kutia ndërronte pozicion, gjilpëra kthehej në të njëjtin drejtim. Ai mendoi se duhet të kishte ndonjë forcë në atë që konsiderohej si hapësirë boshe që e bënte gjilpërën të lëvizte. Ky incident i zakonshëm në shumë “fëmijëria të famshme”, është përmendur shpesh në shumë rrëfime të jetës së tij.

5- Ajnshtajni kishte një fëmijë të paligjshëm

Në vitin 1980, letrat private të Ajnshtajnit kanë zbuluar diçka të re për gjeniun. Kishte një vajzë të paligjshme me ish-studenten Mileva Mariç, të cilën më vonë u martua. Në vitin 1902, një vit para martesës, Mileva lindi në familjen e prindërve në Berne, një vajzë me emrin Lieserl, të cilën Ajnshtajni kurrë nuk e pa dhe për të cilën nuk dihet gjë. Ajo është pagëzuar dhe jetoi me familjen e Milevës. Më vonë ajo thotë se vdiq nga ethet në shtator, 1903. Në korrespondencën e çiftit shkruhet se është dhënë për birësim pasi ka lindur. Në letrën e 19 shtatorit, 1903, Lieserl Einstein-Maric përmendet për herë të fundit.

6- Kur përjashtohej nga shkolla

Ajnshtajni ishte i ngadaltë në procesin e të folurit. Madje prindërit e tij janë konsultuar dhe me një doktor. Ai madje ka patur një rebelim “të paturp” ndaj autoriteteve, që bëri që drejtori i shkollës ku ai studionte ta përjashtonte nga shkolla dhe të shprehej rreth tij se ai nuk do të mund të arrinte shumë në jetë. Por këto karakteristika bënë që ai të bëhej një gjeni. Mospërfillja dhe përbuzja e tij ndaj autoritetit bënë që ai të vinte në dyshim njohuritë tradicionale. Zhvillimi i tij i ngadaltë verbal, bëri që ai të bëhej kurioz për gjërat e zakonshme – si koha dhe hapësira – që pjesa më e madhe e të rriturve i marrin për të mirëqena. I ati i dhuroi një busull në moshën pesë vjeçare, dhe hetoi mbi natyrën e fushës magnetike gjatë gjithë jetës së tij. Ai kishte prirjen të mendonte në bazë të imazheve dhe jo me fjalë.

7- A ngeli Ajnshtajni në Matematikë?

Një besim mjaft i përhapur rreth Ajnshtajnit është se ai kishte ngelur në lëndën e matematikës. Një kërkim në Google rreth kësaj nxjerr më shumë se 500 mijë rezultate. Ky lajm madje është bërë pjesë e titujve të gazetave “besoje ose jo”. Por historia e tij është shumë ironike: Në 1935, një lajm u botua rreth Ajnshtajnit “Matematikani më i madh i kohës, ngel në matematikë”. Duke qeshur ai është përgjigjur se nuk ka ngelur asnjëherë në matematikë, dhe se në moshën 15 vjeçare ai kishte zgjidhur ekuacione të vështira matematikore. Në shkollë fillore ai ka qenë më i miri i klasës dhe shumë më lart rezultateve të pritshme në matematikë. Në moshën 12 vjeçare, motra e tij u shpreh se ai “gjithmonë kishte preferuar të zgjidhte probleme të vështira aritmetike”, dhe vendosi të zbulonte nëse mund të progresonte duke mësuar gjeometrinë dhe algjebrën vetë. Prindërit i blenë libra të avancuar që ai të përgatitej gjatë verës. Ai jo vetëm që mësoi fakte në këto libra, por identifikoi disa teori në një përpjekje që t’i testonte personalisht. Ai madje pati idenë e tij personale se si mund të provonte teorinë e Pitagorës.

8- Cili ishte eksperimenti i menduar, që çoi Ajnshtajnin drejt teorisë së relativitetit?

Ai imagjinoi një njeri në rënie të lirë. Për të kuptuar atë që ai pa, mendoni një njeri të mbyllur në një ashensor që ulet në drejtim të tokës. Ai do të lëvizte në ashensor duke u ngritur lart, dhe çdo gjë që do të dilte dhe binte nga xhepat e tij do të lëviznin lirshëm rreth tij – njësoj si të ishte i mbyllur në një dhomë, në një zonë pa gravitet të hapësirës. Në anën tjetër, mendoni një grua të mbyllur në një ashensor që po ngjitet lart në hapësirë, larg çdo lloj graviteti. Ajo do të ndihej sikur po binte në tokë, njësoj sikur të ishte duke u tërhequr nga graviteti. Nga ekuivalenca e gravitetit dhe nxitimit, ai ndërtoi teorinë e përgjithshme të relativitetit.

9 – Çdo gjë është relative

Ai zbuloi se graviteti ishte një “deformim” i hapësirës dhe kohës. Ai mund të përshkruhet duke përdorur një tjetër eksperiment të menduar. Imagjinoni si do të mund të ishte hedhja e një topi bouling – u në një sipërfaqe dy dimensionale të një trampoline. Ai i jep formë strukturës ndërkohë që lëviz. Më pas rrotulloni disa topa bilardoje. Ata lëvizin drejt topit të bouling–ut jo sepse ai i tërheq ata në mënyrë të panjohur (Siç thotë teoria e Njutonit), por për shkak të formës që ai i ka dhënë strukturës së trampolinës. Tani imagjinoni gjithë këtë në një strukturë katër dimensione të hapësirës dhe kohës. Nuk është e lehtë, ndaj ne nuk jemi Ajnshtajni dhe ai ishte. Ai ishte i aftë të nxirrte ekuacionin e fushës së gravitetit që tregonte se si materia formëson hapësirën dhe si forma e hapësirës i tregon materies si të lëvizë.

10-Cila ishte mrekullia e vitit e Ajnshtajnit?

Në 1905, Ajnshtajni u diplomua, por nuk ju dha mundësia që tema e tij e doktoraturës të pranohej; as të merrte një post akademik. Kështu ai filloi të punonte me orar të zgjatur, gjashtë herë në javë, si një ekzaminues i nivelit të tretë në zyrat zviceriane të inovacionit shkencor. Gjatë kohës së lirë, ai shkruajti katër teza që lidheshin me fizikën. E para tregonte se drita mund të prodhohej si në formë valësh ashtu dhe si grimca të quajtura fotone. E dyta provonte ekzistencën e atomeve dhe molekulave. E treta, teoria e relativitetit, që thonte se nuk kishte hapësirë apo kohë absolute. Dhe e katërta tregonte një ekuivalencë ndërmjet energjisë dhe masës, që përshkruhet nga ekuacioni i famshëm i fizikës, E=mc2.

11-Si ishte jeta personale e Ajnshtajnit në atë kohë?

Ndihma që ju dha në matematikë, ishte ajo e serbes, Mileva Mari, që ishte e vetmja femër në klasën e tij të fizikës, në universitet. Ata kishin rënë marrëzisht në dashuri me njëri – tjetrin, dhe patën një vajzë të jashtëligjshme, të cilën lejoi ta jepnin për birësim para se ta shihte. Më pas ata u martuan dhe patën dy djem. Eventualisht marrëdhënia e tyre u komplikua dhe Ajnshtajni kërkoi divorcin. Ai i ofroi asaj një marrëveshje: Një nga tezat e tij të 1905, sipas tij, do të fitonin Çmimim Nobel, dhe nëse ajo i jepte divorcin, Ajnshtajni do t’i jepte paratë e fituara nga ky çmim. Pasi u mendua për një javë, ajo pranoi. Për shkak se teoritë e tij ishin mjaft radikale, ai e fitoi këtë çmim vetëm në 1922.

12- Teoria: Si u krijua relativiteti?

Shkencëtarët nuk ishin të sigurtë që herën e parë nëse teoria e relativitetit ishte e saktë. Por Ajnshtajni propozoi një eksperiment dramatik. Gjatë eklipsit të ardhshëm, në 1919, shkencëtarët mund të masnin se si drita e yjeve që kalonte në afërsi të diellit, drejtohej nga graviteti. Lajmet që pasuan ishin: “Dritat që lëvizin shtrembër në Parajsë / Njerëzit e shkencës Më shumë apo më pak të etur për rezultatet e Vëzhgimeve të Eklipsit / Teoria e Ajnshtajnit triumfon”. Dhe e gjithë kjo është shkruar në një kohë kur të paktë ishin ata që dinin të shkruanin mirë. Ajnshtajni u bë i famshëm për kontributin që dha në lindjen e një epoke të re. Ai u bë një shkencëtar i famshëm dhe një ikonë e humanizmit; një nga emrat më të njohur në planet.

13- Ajnshtajni propozon një “kontratë” të çuditshme

Pasi ai dhe Mileva u martuan, patën dy djem, Hans Albert dhe Eduard. Suksesi akademik dhe udhëtimet nëpër botë kishin çmimin e tyre. Ai u distancua nga gruaja e tij dhe për disa kohë çifti u përpoq të merrej me problemet. Ajnshtajni propozoi një “kontratë” të çuditshme për të jetuar me Milevën. Kushtet ishin që rrobat të ishin të pastra dhe të hekurosura, që t’i çonte tre vakte të ngrohta në dhomë, që dhoma dhe studioja të ishin të pastra, përveç tavolinës së punës, që ajo të pushonte së foluri kur ai t’ia kërkonte. Ajo pranoi dhe ai i premtoi se do ta konsideronte të huaj çdo grua tjetër. Pas divorcit, marrëdhënia e Ajnshtajnit me djalin e madh u lëkund. Hansi fajësonte të atin për ndarjen nga Mileva dhe pasi Ajnshtajni fitoi çmimin “Nobel” dhe paratë. Ai i dha asaj vetëm interesat dhe jo shumën e madhe të çmimit. Grindjet mes tyre u shtuan kur Ajnshtajni kundërshtoi martesën e djalit me Frieda Knecht, sepse ajo ishte “më e madhe dhe e shëmtuar”. Kur ata u martuan, Ajnshtajni i kërkoi djalit të mos bënin fëmijë, pasi kjo do ta bënte divorcin edhe më të vështirë. Edhe mamaja e Ajnshtajnit e kishte kundërshtuar martesën me Milevën. Kur i biri emigroi në Amerikë, ata mbetën të ndarë.

14- Ajnshtajni, i preferuari i grave

Kur Ajnshtajni u divorcua me Milevën në vitin 1919 (tradhtia cilësohet si një nga shkaqet), ai u martua me kushërirën, Elsa Loëenthal. Në të vërtetë ai donte të martohej edhe me vajzën e Elsës nga një martesë e mëparshme, Ilse, 18 vjet më e re se ai, por ajo e kundërshtoi. Ndryshe nga Mileva, shqetësimi kryesor i Elsës ishte të kujdesej për burrin e saj të famshëm. Ajo i dinte dhe i toleronte tradhtitë dhe lidhjet dashurore të tij, të cilat zbulohen më vonë tek letrat e tij. Fillimisht e tradhtoi me sekretaren, Betty Neumann. Korrespondenca e tij tregon se ishte i lidhur me gjashtë gra, mes tyre dhe një spiune ruse.

15- Pacifisti që shpiku bombën atomike

Në vitin 1939, i alarmuar nga shumimi i Gjermanisë naziste, Leo Szilard e bindi Ajnshtajnin t’i shkruante një letër presidentit amerikan, Franklin Roosevelt, ku e paralajmëronte se Gjermania naziste po ndërtonte një bombë atomike dhe i sugjeronte Shteteve të Bashkuara të zhvillonin bombën e tyre. Letra e Ajnshtajnit dhe Szilardit konsiderohet si një nga arsyet që Roosevelti filloi “Projektin Manhattan” për të zhvilluar bombën, edhe pse më vonë u zbulua se bombardimi i Pearl Harbor në vitin 1941 e bindi më shumë qeverinë se sa letra e tyre. Edhe pse ishte fizikant i shkëlqyer, ushtria e konsideronte si rrezik sigurie dhe nuk e ftuan në projekt.

16- Truri shëtiti në kavanoz për 43 vjet

Pas vdekjes në vitin 1955, truri i Ajnshtajnit u hoq pa lejen e familjes nga Thomas Harvey që kreu autopsinë. Ai e mori trurin në shtëpi dhe më vonë u pushua nga puna për shkak se refuzoi ta dorëzonte organin. Shumë vite më vonë, kur Harvey mori leje nga Hansi ta studionte trurin, i dërgoi copëza disa shkencëtarëve në të gjithë botën. Njëra prej tyre ishte Marian Diamond nga Universiteti Berkeley, e cila zbuloi se ai kishte më shumë qeliza në atë pjesë të trurit që ishte përgjegjëse për sintetizimin e informacionit. Neuronet e trurit të tij, që ishte më i madh se normalja, komunikonin më mirë me njëri-tjetrin, për shkak se mungonte një “rrudhë” e quajtur prerja silviane. Studime të tjera sugjerojnë se truri i Ajnshtajnit ishte i dendur dhe se lobi inferior, që ka të bëjë me aftësitë për matematikë, ishte më i madh se truri normal.

17- S’donte ta lodhte mendjen më shumë nga sa nevojitej dhe pëlqente të rrinte zbathur

Përveç sportit të preferuar, lundrimit (sporti që kërkon më pak energji), Ajnshtajni i shmangej çdo aktiviteti çlodhjeje që kërkonte shkathtësi mendjeje. Siç tha ai për “New York Times”, “Sapo përfundoj projektet që kam në dorë, nuk dua të merrem me asgjë tjetër që kërkon punë mendjeje”. “Kur isha i ri, zbulova se gishti i madh i këmbës gjithmonë bënte një vrimë në çorape”, tha ai dikur. “Prandaj nuk vesha më çorape”, vazhdon ai.

18- Nuk e ndiqte asnjëherë modën dhe s’ka mësuar kurrë të shkruajë anglisht

Ajnshtajni ishte një kokëfortë fanatik. Ai refuzoi të vishej ashtu siç e këshillonin, kushdo të ishte ai apo ajo. Njerëzit ose e njihnin mirë, ose nuk e njihnin fare, arsyetonte ai, kështu që nuk kishte rëndësi në e shihni me të njëjtin kostum një vit të tërë. Edhe pse jetoi për shumë vite në Shtetet e Bashkuara dhe i fliste mirë të dyja gjuhët, Ajnshtajni thotë se kurrë nuk ka mundur të shkruajë në anglisht, për shkak të “shqiptimit të pabesë”. Kurrë nuk e humbi theksin dallues gjerman “I vill a little t’ink” (I will a little think”)

19- Tymoste si oxhak

Një anëtar për jetë i “Klubit të duhanxhinjve me llullë”, në Montreale, Ajnshtajni citohet të ketë thënë: “Duhani me llullë kontribuon në gjykimin më të qetë dhe objektiv të çështjeve njerëzore”. Një herë ra në ujë gjatë një ekspedite me barkë, por arriti heroikisht të mos lëshojë nga dora llullën e tij.

20- E kishte zët letërsinë fantastiko-shkencore

Në mënyrë që mos ta ngatërronte me shkencën e pastër dhe t’u jepte njerëzve iluzione false në lidhje me arsyetimin shkencor, ai rekomandoi abstinencë të plotë nga çfarëdolloj letërsie fantastiko-shkencore. Ai gjithashtu sugjeroi se njerëzit që kanë parë disqe fluturuese duhet t’i mbajnë ato për veten e tyre. Ajnshtajni qetësohej në kuzhinën e tij me violinën besnike, duke u munduar me kokëfortësi të improvizonte diçka që të ngjasonte si vijë melodike. Kur nuk ia arrinte, ai rikthehej tek Mozarti.

21- E barazonte monogaminë me monotoninë

“Të gjitha martesat janë të rrezikshme”, një herë i tha intervistuesit. “Martesa është përpjekja e pasuksesshme për ta bërë diçka të zgjasë nga një incident”. Njihej botërisht se ishte burrë jobesnik, që prirej të binte në dashuri me dikë tjetër pasi sapo kishte shkëmbyer premtimet.

22- Nuk mbante mend ditëlindjet

Me besimin se datëlindjet ishin për fëmijët, qëndrimi i tij përmblidhet në një letër që i shkroi të dashurës Mileva Maric: “E dashur zemra ime e vogël …, së pari urimet e mia të përzemërta për ditëlindjen tënde dje, të cilën e harrova përsëri”.

23- Pse nxori gjuhën në foton e famshme

Ishte ditëlindja e Ajnshtajnit dhe i mbytur nga një mori fotografësh. I lodhur prej tyre, ai nxori gjuhën me shpresën se do t’ia prishte foton. (Sikur të ishte aktor në ditët e sotme do t’ia kishte tërhequr aparatin nga duart). Sigurisht që plani i tij doli huq. Meqë shkencëtari kishte një reputacion si njeri i çuditshëm, fotoja u konsiderua si një shembull tjetër i sharmit të tij gjaknxehtë dhe u bë një prej fotove të tij më të bukura.

24- A besonte Ajnshtajni në Zot?

Ajnshtajni ishte hebre; hebre nga populli i Perëndisë. Ai kundërshtoi natyrën e rastësishme të mekanikës kuantike dhe tha “Perëndia nuk luan me zare”. Ndër frazat më të njohura të tij janë: “Para Zotit jemi të barabartë në zgjuarsi dhe të barabartë në budadallëk”, “Perëndia gjithmonë zgjedh mënyrën më të thjeshtë”, “Dua të di gjithë mendimet e Perëndisë; të gjitha të tjerat janë detaje”. Rregulli i universit ishte provë për të që Perëndia ekzistonte.

25- Pse nuk ishte prezent në çmimin “Nobel”?

Nuk ishte i pranishëm në dhjetor të vitit 1922 për të marrë çmimin “Nobel” në fizikë, sepse ishte në një udhëtim në Japoni. Gjatë kësaj kohe bëri shumë vizita ndërkombëtare. Kishte vizituar Parisin para dhjetorit dhe një vit më vonë vizitoi Palestinën. Pas zbulimit të fundit shkencor, në lidhje me valët dhe materien, në vitin 1924 ai bëri vizita të tjera, por këtë herë në Amerikën e Jugut.

26- Gjeometria dhe filozofia

Lëndët e preferuara në shkollë ishin gjeometria dhe filozofia. Ai e pëlqente kaq shumë gjeometrinë sa filloi ta studionte në moshën 12-vjeçare. Edhe filozofia ishte e rëndësishme për të, pasi ishte studimi i universit dhe kuptimit të jetës. Kjo e inkurajoi të kërkonte përgjigje. Ai studionte filozofi çdo të enjte me një student mjekësie me emrin Max Talemy, i cili bashkohej me familje e tij për darkë.

27- Puna e parë që bëri

Albertit kurrë nuk i është dashur të punojë derisa familja e tij u zhvendos në Milano, Itali. Atje gjeti punën e parë në një zyrë patentash zvicerane në Bern dhe qëndroi për shtatë vite, duke e përdorur kohën e lirë për të studiuar fizikë dhe për të shkruar artikuj për universitetet lokale.

28-Aspekte të jetës që pëlqente

Natyra dhe muzika zinin vendin e parë. Ajnshtajni pëlqente të shëtiste në natyrë. Shëtitjet e tij ishin koha kur mendohej dhe harronte gjithë botën. Dashurinë për muzikën e mori nga e ëma. Ai kurrë nuk hoqi dorë nga violina. Kur u bë shumë plak për të luajtur me të, ai ulej dhe dëgjonte muzikën e tij të regjistruar.

29- Ajnshtajni refuzon paratë dhe çfarë urrente

Universiteti “Princeton” i caktoi një shumë për rrogë. Atij i kërkuan ta vendoste vetë këtë shumë. Universiteti kishte vendosur për 10 mijë dollarë në muaj, por Ajnshtajni kërkoi vetëm 3 mijë dollarë. Ai gjithashtu refuzoi pensionin prej 7500 dollarësh në vit, duke e cilësuar si “shumë bujar”. Pensioni u reduktua në 6 mijë dollarë. Me to bleu një shtëpi modeste, ecte për në punë dhe kurrë nuk pati ndonjë makinë. Çfarë urrente? Të vetmet gjëra që nuk donte dot ishin berberi dhe çorapet. Ajnshtajni kurrë nuk e vizitonte berberin se nuk kishte nevojë për model të ri flokësh, i vjetri i pëlqente më shumë. Ai shkruan në vitin 1934: “Jam plotësisht i bindur se asnjë pasuri në botë nuk e ndihmon njerëzimin të përparojë, madje dhe në duart e punëtorit më të devotshëm për këtë punë” dhe “Paratë joshin vetëm egoizmin dhe ftojnë abuzimin”.

30- Njeriu më miqësor i kohës

Ai lindi në Ulm të Gjermanisë edhe pse familja u zhvendos në disa shtete të ndryshme për të jetuar, ai pëlqente më shumë qytetin e lindjes. Gjatë shëtitjeve të tij në qytet përshëndeste dhe u jepte dorën kujtdo që shihte.

31- Jetëgjatësia

Albert ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare. Ai u largua më 18 prill të vitit 1955. 22 vitet e fundit të jetës i kaloi në Institutin e Studimeve të Avancuara në Princeton, Neë Jersey. Në atë qytezë të vogël të kolegjit, Alberti ishte një fytyrë e njohur. Çdo ditë, zotëria i sjellshëm me flokët gri dilte nga zyra për në shtëpi dhe gjithmonë ndalej t’u fliste kalimtarëve.

32- Ç’do të thotë E=mc2 dhe çfarë tregon ekuacioni

Ajnshtajni e përmblodhi teorinë speciale të relativitetit në një revistë disa vite më vonë me ekuacionin legjendar E=mc2. Ky ekuacion përkthehet, Energjia=masa e shumëzuar me shpejtësinë e dritës në katror. Masa përmban sasi të mëdha energjie. Çfarë tregon ekuacioni? Marie Curie zbuloi se një ons (28,35 gramë) radiumi nxirrte 4 mijë kalori/në orë në mënyrë të papërcaktuar. E=mc2 është baza e zbulimit se si dielli dhe yjet kanë rrezatuar dritë dhe nxehtësi gjatë mijëvjeçarëve, dhe për tmerrin e Ajnshtajnit, ky ekuacion sjell edhe prodhimin e bombës atomike.

33- “Njeriu i Shekullit”, nga “Time”

Revista amerikane “Time”, në vitin 1999 e emëroi si “Personi i Shekullit”. Në kulturën e gjerë emri Ajnshtajn është bërë sinonimi i gjeniut. Përveç trurit të tij nuk ka mbetur asgjë e prekshme, pasi hiri u hodh në një lumë në SHBA.