Sport 34 vjeç, por bionik! Pse Ronaldo është atleti më i madh në...

34 vjeç, por bionik! Pse Ronaldo është atleti më i madh në historinë e futbollit

Nëse Cristiano Ronaldo të ishte si fituesit e tjerë të “Topit të Artë”, ai do t’i kishte “varur këpucët në gozhdë” deri tani, si Marco van Basten, Michael Owen, ose Zinedine Zidane, ndoshta pas një magjie në MLS, edhe si Kaka. Sidoqoftë, CR7 nuk është si fituesit e tjerë të “Topit të Artë”.

Njëmbëdhjetë vjet më pas, nga momenti kur u kurorëzua për herë të parë si lojtari më i mirë në botë, ndërkombëtari portugez, i cili feston sot 34-vjetorin e lindjes, nuk tregon shenja të ngadalësimit sportiv.

Në fund të vitit 2019, ai do të jetë përsëri në mesin e favoritëve kryesorë për çmimin individual më të famshëm të futbollit, sepse kaq mbresëlënës ka qenë fillimi i eksperiencës së portugezit te Juventusit, ku rekord pas rekordi vazhdon rrugën e tij drejt pavdekësisë..

Dihet që debati mbi atë se kush është më i miri, ai apo Lionel Messi, do të vazhdojë përgjithmonë, por askush nuk mund të vërë në pikëpyetje se Cristiano Ronaldo është atleti më i pabesueshëm, që ka ekzistuar ndonjëherë në futboll.

“Ylli portugez ka kapacitetin fizik të një lojtari 20-vjeçar”, – thuhej në deklaratën e stafit mjekësor bardhezi, pas transferimit të tij nga Real Madridi te Juventusi, duke përmendur 7 për qind të trupit si yndyrë dhe masën e muskujve prej 50%, me dy shifra dukshëm më të larta se mesatarja e futbollistëve të tjerë.

Statistikat u përforcuan bukur me citimet nga prezantimi i tij në Torino, ku tha: “Unë jam këtu, sepse është një sfidë shumë e madhe në karrierën time. Në moshën time, futbollistët zakonisht shkojnë në Kinë. Unë jam i ndryshëm nga gjithë të tjerët, nga të gjithë lojtarët që janë 32, 33, ose 34 vjeç”.

Ambicia maksimale e Ronaldos u pikas nga kolegët e tij, që shumë herët, në karrierën e tij. Përkushtimi i tij për të qenë gjithmonë në majë dhe gjendja fizike kanë bërë që te CR7, shumë gjëra të mos përputhen me vitet e fundit të karrierës.

Ai ka qenë prej kohësh i obsesionuar me përgatitjet e gjithfarëllojshme, për të mbetur shumë më i ri nga sa ka moshën. “Ronaldo ishte personi i parë, që pashë duke punësuar një mjek diete, një trajneri personal fizik dhe një kuzhinier“, – tha Rio Ferdinand, ish-bashkëlojtari i tij të Manchester United. – Ai investoi që në fillim të karrierës për t’u bërë më i miri në botë”.

Këshillat nga ekspertët fizikë e plotësonin motivimin e pakrahasueshëm të Ronaldos, diçka që Carlos Queiroz, ish-ndihmësi i Alex Ferguson në “Old Trafford”, e ilustronte me ngjyra: “Isha një herë në zyrën time në Carrington dhe pashë diçka që lëvizte te pema përballë. Mendova se mos ishte spiun. Thirra punonjësin e sigurisë dhe e pyeta.

Ai u kthye tek unë dhe më tha: Është Cristiano Ronaldo. Ai ishte duke u stërvitur i vetëm, sepse ishte unik. Ishte shumë e rrallë për të parë te një lojtar i ri kaq shumë talent dhe një personalitet të tillë të fortë, plot ambicie dhe angazhim. Kam lexuar rreth Arnold Schwarzenegger, se ishte i obsesionuar të ishte një perfeksionist. Cristiano Ronaldo është i njëjtë”.

Është një gjë të jesh futbollist i talentuar, por është një gjë tjetër për t’u përmbushur, dhe madje ta tejkalosh potencialin tënd. Te Ronaldo, atributet mendore i tejkalojnë ndoshta aftësitë e tij teknike, duke i lejuar atij të vazhdojë të rivalizojë “dhëmbë për dhëmbë” me Messin, një lojtar me siguri më i talentuar se portugezi.

Megjithatë, siç ka thënë më parë, ylli i Juventusit nuk është i shqetësuar me atë se çfarë argjentinasi bën: “Unë nuk konkurroj kundër Messit, por kundër vetes. Më pëlqen të përqendrohem te vetja ime. Unë jam më shumë i shqetësuar me lojën time se sa me atë që bëjnë rivalët”.

Ky shqetësim për t’u matur me veten e bën atë një sportist të përmasave të mëdha. “Ndonjëherë ktheheshim nga ndeshjet europiane, mund të ishte ora tre e mëngjesit, por Ronaldo nuk shkonte drejt e në shtëpi, – ka thënë ish-trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, për “Daily Mirror”. – Në vend të kësaj, ai shkonte në terrenin e trajnimit për banjën e akullit, për të ndihmuar rimëkëmbjen e tij nga loja”.

Ky është përkushtimi më ekstrem, por që i lejon Ronaldos të shmangë dëmtimet dhe, nga ana tjetër, të vazhdojë të performojë në nivelin më të lartë, edhe pse 34 vjeç. Nuk ka vonuar shumë dhe shoku i tij i skuadrës, Giorgio Chiellini, të dalë në përfundimin se ylli portugez mund të luajë deri sa të jetë 40 vjeç.

Kjo shpjegon pse Ronaldo iu bashkua Juventusit për objektiva madhorë dhe nuk përfundoi në Kinë apo SHBA, siç ndodh me kolegët e tij në këtë moshë. “Kur kam rinovuar kontratën me Real Madridin kam thënë se do të luaja ende, kur të jem 41 vjeç. Kjo ishte gjysmë shaka dhe gjysmë serioze, – tha CR7 për “Sky Sports”. – Nëse ndihem mirë, pa asnjë lëndim dhe jam ende i motivuar, do të luaj. Deri 35, 41 apo 45 vjeç, këtë nuk e di”.

Edhe sa vite do të luajë, kjo është e pamundur të parashikohet prej vetë Ronaldos, por e qartë është se ai mbetet në nivelin që ka pasur për më shumë se një dekadë, ndër më të mirët në botë. Me 17 gola në 22 ndeshje të luajtura në Serie A, forma e tij te Juventusi ka qenë e habitshme.

Po të shtoni edhe Ligën e Kampionëve, konkurrencën ku është i njohur për dominimin, dhe shanset për të thyer rekordin 93-vjeçar të Ferenc Hirzerit me 35 gola të shënuar në një sezon të veçantë për “Zonjën e Vjetër”, ambiciet janë shumë të larta.

“Ronaldo është bërë një sportist me të vërtetë i kalitur, – thotë Antonio Gaspar, fizioterapist i yllit portugez. – Jam i mrekulluar se si ai ka evoluar. Cristiano është ende i fortë dhe i shpejtë, ka ende aftësinë teknike për të “verbuar” çdo kundërshtar. Ai luan në mënyrë më të mençur dhe ka përvojën e pjekurinë për të përfituar sa më shumë nga eksperienca”.

Gjithmonë do të ketë njerëz, që besojnë se Messi është më i mirë se Ronaldo. Natyrisht, do të ketë gjithmonë edhe njerëz që besojnë se ai është përlëvduar nga të mëdhenjtë e së kaluarës, si Pele apo Diego Maradona. Sidoqoftë, ashtu si tenisi ka Roger Federer, futbolli ka Cristiano Ronaldon, një “mostër” me “gjelbërim” të përjetshëm, i cili bëhet më i mirë me kalimin e viteve, ashtu si vera…