Sport 36 milionë euro për vetëm 27 ndeshje, Neymar “gropa e zezë” e...

36 milionë euro për vetëm 27 ndeshje, Neymar “gropa e zezë” e PSG

Pandemi, pezullime, probleme muskulore dhe dëmtime të kyçit të këmbës dhe brinjës. Për këto arsye, 2020 ishte viti që Neymar zbriti më pak në fushë gjatë gjithë karrierës së tij si një futbollist profesionist. Duke llogaritur angazhimet me Paris Saint-Germain dhe ekipit kombëtar brazilian, sulmuesi luajti vetëm 29 ndeshje zyrtare gjatë 12 muajve të fundit. Mesatarisht, kjo do të thotë një ndeshje çdo dy javë.

As në vitin 2009, kur Neymar ishte ende një djalë i ri dhe nuk ishte i përfshirë në të gjitha ndeshjet e Santos, numri nuk ishte kaq i ulët. Por faji për shfaqjen kaq pak në fushë gjatë vitit që pritet të mbarojë nuk ishte vetëm i lojtarit, por vetë kalendari.

Ndryshe nga kampionatet e tjerë të mëdhenj kombëtarë në Europë, të cilat rilluan nga mesi i vitit, francezët vendosën ta mbyllnin sezonin 2019/20 në mars, kur pandemia ishte në kulm. Si rezultat, 11 javë thjesht nuk u luajtën. Gjithashtu për shkak të koronavirusit, Champions League shfuqizoi përplasjet vajtje-ardhje nga çerekfinalet dhe gjysmëfinalet, duke anuluar dy ndeshje të tjera që Neymar mund të kishte luajtur.

Ndërsa ai përfiton një pagë vjetore prej 36 milionë euro te PSG dhe mori pjesë në vetëm 27 ndeshje për klubin gjatë vitit 2020, kjo do të thotë që braziliani është paguar diçka e ngjashme me 1.33 mln euro për ndeshje!

Por nuk mund të thuhet se këto para janë investuar keq. Pavarësisht nga kaq shumë probleme, Neymar fitoi tre tituj në vitin 2020, Kupën Franceze, Kupën e Ligës dhe titullin. Por më e rëndësishmja, e drejtoi klubin e tij në një finale të Champions League për herë të parë.

Përveç kësaj, ai shënoi 20 gola në total dhe dha 14 asiste, mesatarisht 0.76 gola dhe 0.52 asiste për ndeshje. 2020 ishte gjithashtu viti në të cilin Neymar u shfaq përsëri midis kandidatëve për çmimin e lojtarit më të mirë në botë, por u rendit në vendin e nëntë dhe u ankua në rrjetet sociale.