Aktualitet 383 numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri: Ulet ndjeshëm numri...

383 numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri: Ulet ndjeshëm numri i rasteve të reja

Ka shkuar në 383 numri i të infektuarve në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë bën me dije në 24 orët e fundit janë testuar 182 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 2753 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 383 raste.

Në spital Infektiv aktualisht ndodhen të shtruar 67 persona, 5 prej tyre në terapi intensive, ndërsa në spitalin “Shefqet Ndroqi” ndodhen 7 pacientë të shtruar, 6 në terapi intensive dhe 3 të intubuar.

Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë.

Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 131.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Elbasan, Korçë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive:

Tiranë          181 raste

Durrës          38 raste

Lushnje         5 raste

Elbasan         11 raste

Fier            26 raste

Kavajë          8 raste

Rrogozhinë      4 raste

Korçë           17 raste

Vlorë           5 raste

Shkodër         44 raste

Lezhë           14 raste

Berat           2 rast

Has             12 raste

Krujë           5 raste

-Tropojë        4 raste

Pukë            4 raste

Mirditë         3 raste

”Siç shihet, sot kemi një ulje të ndjeshme të numrit të rasteve të prekurve nga COVID-19 që tregon se hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i rasteve të reja apo kontakteve të tyre ka funksionuar në mënyrën e duhur dhe është kryer sipas protokolleve të përcaktuara.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Siç e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40″.