E dini cila është pajisja elektroshtëpiake që nuk hiqni kurrë nga priza edhe kur jeni me pushime? Frigoriferi.

Frigoriferi është një ndër aksesorët më të rëndësishëm në shtëpinë e gjithsecilit prej nesh, i vlefshëm në çdo stinë të vitit. Por duke qenë se në frigorifer vendosim ushqime nga më të shumëllojshmet (shpeshherë edhe ato që nuk duhen), rrezikojmë të nuhasim aroma nga më të pakëndshmet sa here që e hapim.

Në treg gjejmë mjaftueshëm produkte që arrijnë të neutralizojnë këto aroma, por ato përmbajnë kimikate dhe janë të dëmshme.

Ju mund të përdorni produktet e mëposhtme për t’i dhënë freski frigoriferit tuaj.

Limon: Mjafton një fetë limon për të larguar erën e keqe të gjellës me lakra apo me të brendshmet e viçit. Duhet thjesht ta ndërroni çdo dy ditë. Limoni do të përthithë çdo aromë të keqe të mundshme.

Patatet: Kujdes, nuk nënkuptojmë që të zhvendosni patatet nga dollapi në frigorifer sepse kjo është e pashëndetshme. Qëroni një patate dhe ndajeni në katër kubikë dhe lëreni të paktën dy orë ose derisa të nxihet plotësisht.

Kafeja: Mbetjet e kafesë ose siç njihen rëndom llumi i kafesë janë një mënyrë perfekte për të larguar erërat e këqija nga frigoriferi. Mund t’i vendosni në një enë, ose të mos hidhni pakon e kafesë pas mbarimit, por ta lini në një kënd të frigoriferit.

Uthulla e mollës dhe soda e bukës: Këta dy përbërës gjejnë përdorim pothuaj në çdo gjë që bëjmë në shtëpi, larje veshjesh, zbardhim atletesh etj. Por kombinimi i tyre mund të eleminojë brenda pak sekondash edhe erërat e këqija në frigorifer. Mjafton një përzierje me një lugë gjelle uthull molle dhe një lugë çaji sodë buke që të krijohet konsistenca e duhur.