Kryesore Katër viktima dhe 83 raste të reja me Covid-19

Katër viktima dhe 83 raste të reja me Covid-19

Katër pacientë të infektuar me koronavirus javë më parë nuk ja kanë dalë dhe kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit. Totali i viktimave të kësaj pandemie në vendin tonë tashmë ka arritur në 93.

“Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 4 qytetarë: dy prej tyre 57-vjeçare nga Shkodra dhe Dibra, një pacient 75 vjeçar nga Durrësi dhe një paciente 81 vjeçare nga Tirana”, tha Marjeta Dervishi, nga Instituti i Shëndetit Publik.

83 raste të reja

83 të infektuar të rinj janë identifikuar me anë të analizave laboratorike në të gjithë vendin.

“38 raste në Tiranë, 12 në Berat, 6 në Durrës, nga 4 raste në Shkodër, Elbasan, Vlorë, 3 raste në Krujë dhe Kukës, 2 raste në Urën Vajgurore dhe Përmet, nga 1 rast në Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Bulqizë, Himarë”.

Situata në spitalin infektiv paraqitet e rënduar

Një pjesë e tyre kanë patur nevojë për ndihmë të specializuar mjekësore dhe janë shtruar në shërbimin infektiv që shërben si i vetmi spital Covid në vend.

“Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet e rënduar. Në 24 orët e fundit ka shtim të pacientëve edhe të moshave të reja. Aktualisht janë të shtruar 72 pacientë në spital, 8 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde”, tha Marjeta Dervishi, nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Janë të shtruar 72 pacientë në spital, 8 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde”.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 65 persona duke e çuar në 1946 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1415 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë shumë kujdes, edhe gjatë pushimeve dhe sezonit turistik.