Kryesore 400 viktima nga koronavirusi në SHBA, shpallet gjendja e katastrofës në Uashington...

400 viktima nga koronavirusi në SHBA, shpallet gjendja e katastrofës në Uashington dhe Nju Jork

Vijon të rritet numri i viktimave dhe personave të infektuar si pasojë e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Instituti “John Hopkins” raporton se numri i personave të prekur nga virusi i ri ka shkuar mbi 32 mijë ndërkohë që viktimat janë mbi 400. Deri tani 8 shtete kanë urdhëruar qytetarët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre ose e përkthyer ndryshe 100 milionë banorë.

Presidenti Donald Trump, përmes një konference për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, njoftoi se ka aktivizuar Gardën Kombëtare në Nju Jork, Kaliforni dhe Uashington, të cilët janë dhe 3 shtetet më të goditura nga epidemia.

Gjithashtu, kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se pranoi kërkesën e guvernatorëve për të shpallur gjendjen e katastrofës në këto tre shtete.

Trump pranoi se ekonomia amerikane po pëson goditje të rënda nga koronavirusi dhe shtoi se nuk është në gjendje të thotë se kur ajo do të rikthehet në normalitet.

Ndërkohë në Senat, dështoi votimi i parë për paketën e ndihmës 1600 miliardë dollarë, por vijojnë negociatat për arritjen e një marrëveshje përpara hapjes së tregjeve.