Bota 44 të vdekur dhe 8 të mbijetuar nga tragjedia e autobusit në...

44 të vdekur dhe 8 të mbijetuar nga tragjedia e autobusit në Bullgari. Hetuesit: Mister fati i personit të tetë

Zëvendëskryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Sarafov në konferencën e parë për shtyp pas tragjedisë në Strumë, deklaroi se në autobus janë gjetur 44 trupa të djegur dhe jo 46 siç është raportuar deri tani. Ai po ashtu tha se sipas të mbijetuarve ka pasur 8 që kanë shpëtuar, kurse në spital janë duke u kuruar vetëm 7 të lënduar.

“Janë gjetur 44 trupa të djegur. Sipas të mbijetuarve ka pasur 8 të mbijetuar, kurse në spital janë duke u kuruar vetëm 7 të lënduar”, tha ai.

“Fillimisht janë marrë në pyetje dy nga pasagjerët e autobusit, të cilët ishin zgjuar në momentin e aksidentit. Të dy japin informacion objektiv, shqyrtohen individualisht dhe deklaratat e tyre përputhen, prandaj ne i konsiderojmë ato si jashtëzakonisht të sakta. Dy të tjerë që janë në spital sot do të merren në pyetje”, tha Sarafov.

“Matematika është e thjeshtë që kemi të dhëna se në autobus ishin 52 pasagjerë. Ne gjetëm 44 kufoma, 7 persona, 4 burra dhe 3 gra u shtruan në spital. Enigma e madhe mbetet – ku është personi i 8? Ne punojmë sipas atij versioni, nuk duam të ngatërrojmë publikun. Mund të jetë edhe një deklaratë e papërshtatshme nga një dëshmitar okular”, shtoi zëdhënësja Siika Mileva.

Siç shpjegoi ajo, një nga të mbijetuarit deklaroi me bindje se nga autobusi ishin shpëtuar 8 persona.

Sarafov tha se ekziston mundësia që njëri nga pasagjerët e autobusit të ketë kaluar tek një nga tre autobusët e tjerë që ishin me atë të djegur.

“Për momentin është një enigmë për ne, por do të jetë objekt hetimi”, tha Sarafov.

Ai tha po ashtu se informacionet fillestare tregojnë se ndoshta ka qenë një gabim njerëzor që është shkaktuar nga shenjat e papërshtatshme në autostradë.

“Bankina në të cilën është përplasur autobusi, jo vetëm që është e panevojshme, por edhe e rrezikshme. Nuk ka pasur shpërthim, por ajo që kanë dëgjuar ata që kanë qenë aty pranë është përplasja, përplasja e fortë e autobusit në trotuarin në anën e djathtë, që thashë se nuk e ka vendin aty. Nuk ka pasur shpërthim,” tha Sarafov.

Po ashtu, hetuesit bullgarë i hodhën poshtë spekulimet se autobus po transportohej benzinë ose naftë.

“Po përhapen informacione se në autobus po transportoheshin derivate të karburantit, benzinës dhe dizelit dhe se këto kanë qenë arsyet e zjarrit. Ai version është hetuar, por kategorikisht e hedhim poshtë si të pabazë. Tre bidonë u gjetën në vend, që përmbanin vetëm mbetje vaji. Nuk ishin të mbushur dhe as të djegur. Rrjedhimisht, zjarri nuk është shkaktuar nga ata”, tha Sarafov.