Sport 5 arsye për të ndjekur klasiken e fundjavës në Bundesligë

5 arsye për të ndjekur klasiken e fundjavës në Bundesligë

Shpërndaje

Prej 9 sezonesh Bundesliga gjermane ka vetëm 2 pronarë: Bayern dhe Borussia Dortmund. Përballja mes tyre konsiderohet kulmi i çdo sezoni, edhe pse jo gjithnjë sfidat mes tyre janë ngjitur në nivelin e pritshmërive, por këtë sezon është ndryshe.

Deutsche Welle publikon një listë prej 5 arsyesh pse Der Klassiker duhet ndjekur të shtunën në mbrëmje…

TITULLI, PROVA E SË VËRTETËS

Duhet të kthehesh pas në kohë, në vitin 2012, për të parë një sfidë vendimtare për titull mes Bayern e Dortmund. Më pas, Der Klassiker e humbi bukurinë e vet, për shkak të hendekut të madh mes dy ekipeve.

Megjithatë, këtë sezon gjithçka duket ndryshe, sepse Bayern-i pas 6 sezonesh me triumfe duket në vështirësi, ndërsa Dortmundi po mahnit me lojën e vet dhe ka 4 pikë më shumë. Sfida e së shtunës nuk do të vendosë asgjë, por do të jetë një provë e madhe për të kuptuar nivelin e dy skadrave më të mira në Gjermani.

PO FRYN NJË ERË E RE?

Që kur Robert Lewandowski është transferuar te Bayern-i, sulmi bavarez ka qenë më i frikshmi në Gjermani. Këtë sezon Dortmundi po bëhet kërcënim serioz, me një mesatare prej 3 golash të shënuar për ndeshje dhe 14 shënues të ndryshëm, rekord i pabesueshëm.

Marco Reus nuk ka më dëmtime dhe po sillet si kapiten i vërtetë, ndërsa Paco Alcacer ka mahnitur botën, duke ngritur pikëpyetje rreth vendimit të Barcelonës për ta dhënë në huazim, por me Dortmundin që ka të drejtën e blerjes. Më pas, lojtarë si Christian Pulisic, Jadon Sancho e Jacob Bruun Larsen i japin shkëlqim dhe gola një skuadre të bukur, që nuk ka pësuar ende humbje në Bundesligë.

NEUER PËSON GOL GJITHNJË

Manuel Neuer mbetet numri 1 i Bayern-it, por me formën aktuale 32-vjeçari nuk ka të drejtë të pretendojë për titullin e “portierit më të mirë në botë”.

Reputacioni i portierit të famshëm është ndërtuar ndër vite, falë vazhdimësisë dhe pritjeve fantastike, por këtë sezon Neuer nuk ka kryer asnjë pritje prej 428 minutash në kampionat, ndërsa ka pësuar 8 gola në këtë periudhë. Për këtë arsye, udhëtimi në Dortmund duket ogurzi.

DORTMUNDI DHE REAGIMI NDAJ HUMBJES SË PARË

Bayern-i ka provuar disa disfata këtë sezon, brenda e jashtë fushe, ndërsa Dortmundi është në maksimumin e vet dhe ka vendosur një rekord prej 15 ndeshjesh rresht pa humbje, para se të ndalej nga Atletico Madrid të martën.

Ishte një humbje e paevitueshme, duke parë listën e gjatë të dëmtimeve te skuadra e drejtuar nga Favre, por trajneri zviceran shpreson që skuadra e tij të mos mësohet me humbje dhe të tregojë se di të reagojë menjëherë. Sfida kundër Bayern-it është mundësia ideale për të treguar vlerat, por mund të jetë edhe një goditje shumë e rëndë psikologjike në rast dështimi.

KOVAC DHE POZICIONI I KIMMICH

Një mesfushor natyral, Joshua Kimmich është transformuar në një prej mbrojtësve të djathtë më të mirë në botë. Tani duhet parë në çfarë roli do ta përdorë Niko Kovac, sepse javën e shkuar e ktheu në mesfushë dhe 23-vjeçari e preku 109 herë topin, duke diktuar ritmin e lojës në mesin e fushës. Edhe ndaj AEK-ut, Kimmich luajti në mesfushë dhe duket se do të vijojë aty, ndërsa të gjithë presin me entuziazëm dhe kuriozitet përballjen me fenomenin e ri Sancho.