Kryesore 5 gra dhe 14 fëmijë riatdhesohen nesër nga Siria. Rama në Liban...

5 gra dhe 14 fëmijë riatdhesohen nesër nga Siria. Rama në Liban për të ndjekur operacionin

Kryeministri Edi Rama ka shkuar në Liban për operacionin e shpëtimit dhe riatdhesimit të 5 grave dhe 14 fëmijëve shqiptarë nga kampi i ferrit në Al-Hol në Siri. Rama lajmëron se ata do të mbërrijnë ditën e diel në vendin tonë ku të afërmit mund të dalin t’i presin në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Kryeministri Rama për operacionin e suksesshëm të riatdhesimit ka falenderuar agjentët e inteligjencës dhe gjeneralin libanez Abass Ibrahim, i cili e ka pritur kreun e qeverisë shqiptare në aeroport ku kanë zhvilluar edhe një takim. Së bashku me Ramën për të ndjekur nga afër operacionin ka qenë edhe Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.

Ndërkohë më 27 tetor 2020 pas disa vitesh “bashkëjetesë” me vdekjen, pluhurin, vrasjet, bombat, dhe plumbat, u riatdhesuan 4  fëmijë dhe Floresha Rasha nga kampi i Al-Holit në Siri. Duhet theksuar se te riatdhesuarit fillimisht marrin një përkujdesje të veçantë nga shteti në mënyrë që të kalojnë traumat që janë shkaktuar nga shpërthimet dhe lufta.

Hetuesit e prokurorisë së posaçme vijojnë hetimet që prej disa vitesh për të zbuluar të gjithë rrjetin e trafikantëve që dërgojnë njerëzit në frontin e parë të luftës në Siri. Një grup është dënuar për këtë çështje ndërsa Floresha Rasha nuk ka dhënë shumë detaje në lidhje me shoqëruesit që e dërguan në luftë.

Tashmë pritet që 5 gratë sapo të mbërrijnë në vendin tonë do të marrin fillimisht ndihmën mjekësore dhe më pas do të përballen me hetuesit e SPAK në lidhje me këtë çështje.