Kryesore 5 kandidatët për të marrë drejtimin e Kombëtares dhe i përzgjedhuri i...

5 kandidatët për të marrë drejtimin e Kombëtares dhe i përzgjedhuri i Dukës

Armand Duka ka hapur bllokun e shënimeve dhe po mendon për secilin. Gjuha, ambienti, ekipi, koha, objektivat, financat dhe shumëçka tjetër si faktorë vihen në “peshore” nga kreu i FSHF-së, kur hap faqen për secilin kandidat.

Lajmet më të fundit bëjnë me dije se Edi Reja duket më i avantazhuar, për të mos thënë i përzgjedhuri, por periudha e pritjes shërben si kohë bilancesh të vetë Dukës për ata që janë deri më tani pesë kandidatët potencialë për t’u kontaktuar për postin e trajnerit të Kombëtares, pas shkarkimit të Kristian Panuçit.

EDI REJA

Është më i avantazhuari për ftesën që të ishte në Shkodër, për kohën që kishte kërkuar ndaj FSHF-së për të vendosur dhe për bisedimet e djeshme me Dukën. Eksperienca e madhe, fakti që ka drejtuar në të gjitha kategoritë dhe filozofia italiane e lojës, janë sigurisht asete të shtuara në CV-në e tij në ballafaqimin e me të tjerë kandidatë.

LUIXHI DE KANIO

Mes të preferuarve të Armand Dukës, edhe në periudhën kur po gjendej pasuesi i Xhani De Biazit, Luixhi De Kanio mund të jetë gjithashtu kandidat bindës edhe këtë herë. Trajneri i Ternanas, ka eksperiencë me disa klube në Itali, e njeh filozofinë e futbollit axurr, i preferuar edhe në vendin tonë për Kombëtaren, moshën e duhur për të drejtuar një kombëtare, profil të ulët trajneri, por në listë ka gjithashtu shumë disavantazhe

XHANI DE BIAZI

I preferuari i tifozëve shqiptarë, mund të rikthehet të jetë një emër i nxehtë në listën e kandidatëve. Krahasimisht me të gjithë të tjerët, De Biazi ka avantazhin e madh të kohës: E njeh ekipin dhe mund të jetë gati të drejtojë… menjëherë.

BESNIK HASI

I pari emër që i vjen në mendje gjithkujt kur bëhet fjalë për një trajner shqiptar në krye të Kombëtares. 47-vjeçari ka gjithashtu një sërë faktorësh në avantazh. Njeh gjuhën, mentalitetin dhe ambientin në Kombëtare, për vetë të shkuarën si pjesë e saj apo edhe si kapiten i kuqezinjve. Gjithashtu ka një karrierë pozitive si trajner, duke fituar me Anderlehtin. Një trajner i disiplinuar dhe me eksperiencë të mjaftueshme për të marrë në drejtim një Kombëtare, aq më tepër atë të vendit të tij.

ROBERTO DONADONI

Një emër i madh në Itali dhe me filozofinë e duhur, i cili ka drejtuar shumë por pa pasur ndonjë arritje të madhe. Drejtimi i Italisë është një arritje e madhe në karrierën e tij dhe e mbush mjaftueshëm CV-në për Shqipërinë, por fakti që është prej disa muajsh pa aktivitet, ja shton edhe disavantazhet. (Panorama Sport)