Aktualitet 5 të arrestuar për vrasjen e Armando Baboçit

5 të arrestuar për vrasjen e Armando Baboçit

Pesë persona janë vënë në pranga në lidhje me vrasjen e Armando Baboçit mbrëmjen e së premtes në Durrës. Policia ka njoftuar mëngjesin e kësaj të shtune se tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e rëndë.

Sipas policisë u kapën në flagrancë K.D., 20 vjeç, H.T., 23 vjeç dhe S.T., 20 vjeç, banues në Durrës. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkohë nga ngjarja ka mbetur i plagosur përveç djalit të viktimës edhe 23-vjeçari H.T.

“Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 18.09.2020, rreth orës 20:00, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, me mjete të forta e më pas me armë zjarri kanë mbetur të plagosur Erald Gjini, 19 vjeç (djali i viktimës), H.T., 23 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve si dhe shtetasi Armando Baboçi (Gjini), 39 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në Spitalin Rajonal Durrës”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë E.C.(B)., 25 vjeç dhe A.K., 24 vjeç, janë arrestuar për moskallëzim krimi. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 3 automjete, 4 aparate celulare si dhe pamje filmike që mund të zbardhin dhe dokumentojnë ngjarjen e rëndë.

Armando Baboçi, 39 vjeç, nuk i mbijetoi dot plagëve, që mori në një sherr masiv, një orë pasi u qëllua me armë gjatë një konflikti për motive të vjetra pronësie mes disa personave të premten. I plagosur me armë mbeti edhe 19-vjeçari Erald Gjini, i biri i viktimës i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Disa orë më vonë në spital shkoi edhe 23-vjeçari H.T, i cili kërkoi ndihmë mjekësore pasi kishte marrë lëndime.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:00 në lagjen numër 13 Durrës. Paraprakisht dyshohet se konflikti është nxitur nga Erald Gjini. Fill pas kësaj në sherr është përfshirë dhe i ati i 19-vjeçarit Armando Baboçi, i cili ka shkuar në ndihmë të së birit.

Në përplasje janë përdorur mjete të forta dhe më pas armët e zjarrit, duke lënë dy të plagosur, njëri prej të cilëve ndërroi jetë në spital. Mësohet se babë e bir janë qëlluar teksa tentuan të largohen, ndërsa personat e përfshirë në konflikt u ndaluan pak metra nga vendi i ngjarjes.