Aktualitet 6 orë në polici, merret në pyetje partnerja e sipërmarrësit të zhdukur...

6 orë në polici, merret në pyetje partnerja e sipërmarrësit të zhdukur italian

Partnerja e Davide Pecorelli mësohet se është marrë në pyetje nga autoritetet policore shqiptare, të cilët po hetojnë zhdukjen e sipërmarrësit italian në vendin tonë.

La Nazione raporton se ajo ka qëndruar në polici për rreth 6 orë, duke iu përgjigjur pyetjeve të autoriteteve, përpara se të rikthehej në Itali.

Ndërkohë, hetuesit po studiojnë lëvizjet e Pecorellit, mbi të gjitha për të kuptuar përse ndodhej i vetëm në atë hotel me maleve, pranë kufirit me Kosovën.

45-vjeçari mbërriti në Pukë më 4 Janar, rreth orës 21:30, që është edhe momenti kur shkoi në hotel. U largua më 5 Janar, ndërsa më datë 6 nuk u rikthye. Personeli i hotelit thotë se gjatë qëndrimit në hotel ai fjeti gjumë dhe mëngjesin e 5 Janarit piu një kafe.

Davide Pecorelli humbi çdo kontakt me familjarët më 6 Janar. Automjeti që kishte marrë me qira në aeroportin e Rinasit u gjet i djegur pranë fshatit Gjegjan të Pukës.

Përveç sendeve të tij personale, autoritetet gjetën në automjet edhe pjesë kockore të një njeriu, të cilat pritet që të përcaktohet nëse i përkasin ose jo italianit nëpërmjet analizës së ADN-së.