Bota 60 milionë kinez të izoluar nga koronavirusi, BE dërgon ushqime dhe ilaçe

60 milionë kinez të izoluar nga koronavirusi, BE dërgon ushqime dhe ilaçe

Numri i të vdekurve nga koronavirusi kinez ka shkuar në 362, ndërsa 17 mijë e 300 persona janë të infektuar. Sëmundja është përhapur në 25 vende të tjera të botës ndërsa një ditë më parë është regjistruar vdekja e parë jashtë Kinës. Një 44-vjeçar, kinez nga Vuhan, duket se ka qenë i infektuar me virusin para se të arrinte në Filipine.

Në Francë, Suedi, SHBA dhe vende të tjera ka patur një valë reagimesh të abuzimit racor dhe diskriminimit ndaj njerëzve me nënshtetësi dhe prejardhje kineze.

Ndërkohë kryeministri kanadez, Justin Trudeau theksoi se Kanadaja nuk pranon asnjë formë diskriminimi ose përjashtimi ndaj ndonjë grupi etnik me origjinë aziatike. Ai u bëri thirrje njerëzve të jenë tolerantë ndaj të gjitha kombësive gjatë këtyre kohërave të vështira.

“Ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin dhe të qëndrojmë të bashkuar. Më lejoni të jem i qartë se nuk ka vend për diskriminim të nxitur nga frika ose keqinformimi. Kjo nuk është diçka që Kanadezët do ta pranojnë ndonjëherë. Janë katër raste të konfirmuara në vendin tonë, por i jemi përgjigjur situatës me masat e nevojshme dhe nuk ka vend për alarm”, deklaroi Trudeau

Bashkimi Europian ka siguruar rreth 12 ton pajisje mbrojtëse për Kinën dhe gjithashtu po ndihmon me furnizime ushqimore dhe mjekësore. Më shumë se 60 milionë njerëz në provincën Hubei po mbahen të izoluar për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

Ekonomia e Kinës ka pësuar një goditje të fortë pasi një numër shumë i madh investitorësh janë larguar, turistët gjithashtu dhe janë anuluar një numër i madh fluturimesh.