Kryesore “600 mijë lekë për një të sëmurë me Covid-19”, Basha: Babai i...

“600 mijë lekë për një të sëmurë me Covid-19”, Basha: Babai i një gazetari priti 6 ditë me simptoma për tamponin

Kreu demokrat, Lulzim Basha, ka denoncuar sot refuzimin e rasteve me Covid-19 nga personeli shëndetësor. Në bashkëbisedimin e përditshëm me gazetarët, Basha tregoi shembullin e një pacienti me simptona, i cili duhet të priste 6 ditë për të bërë tamponin. Ai akuzoi qeverinë se nuk ka marrë asnjë masë dhe nuk ka asnjë plan serioz për të përballuar situatën.

“Pacienti me simptoma është detyruar të presë 6 ditë për t’iu bërë tampon dhe 60 % e mushkërive ishin të dëmtuara. Ka muaj që qeveria nuk ka marrë asnjë masë, asnjë plan serioz për t’u përballuar vetëm justifikime e deklarata kundërthënëse dhe rezultati është që edhe vala e dytë e gjen Ramën e kabinetin e tij të papërgatitur për t’iu përgjigjur emergjencës mjekësore”.

Sipas Bashës, shumica dërrmuese e qytetarëve nuk mund ta përballojnë koston e paketës së trajtimit me paratë e tyre.

“Shumica dërrmuese e qytetarëve tanë e kanë të pamundur të paguajnë çmimin minimal. 600 mijë lekë në muaj është minimumi i shpenzimeve për një të sëmurë me Covid-19”.

Kryedemokrati ripërsërit apelin për rritje të testimeve dhe rimbursim të ilaçeve për të prekurit me koronavirus.

“Ka kaluar numri i 300 pacientëve në ditë, numri i testimeve mbetet më i ulëti në Europë. Të çohet numri i testimeve në 2000 në ditë, ky është hapi i parë. I dyti, të rimbursohet paketa e ilaçeve, mobilizim total i sistemit përmes kapaciteteve për t’u përballur në çdo nivel dhe bonusi 1000 euro për mjek, 500 euro për çdo infermier”.