Aktualitet 644 gjoba për maskat në 24 orë

644 gjoba për maskat në 24 orë

Mosvendosja e maskave mbrojtëse nga qytetarët, ka çuar në ndëshkimin e 644 prej tyre, me masën 3.000 lekë secili, gjatë 24 orëve të fundit.

“Gjatë kontrolleve në ambiente të ndryshme në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse edhe gjatë orëve të mbrëmjes. Gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative me vlerë 3.000 lekë, 523 qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat mbrojtëse. Gjithashtu, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 121 pasagjerë që janë konstatuar pa maska në automjete private (pa lidhje familjare me drejtuesin e mjetit) dhe pasagjerë pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik”, bëhet e ditur nga policia.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 9 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.