Bota 7 shtete evropiane mes 10 eksportuesve më të mëdhenj të armëve në...

7 shtete evropiane mes 10 eksportuesve më të mëdhenj të armëve në botë

7 shtete evropiane kanë arritur të futen në mesin e 10 shteteve me eksportet më të mëdha të armëve të botë. Lajmi vjen në një kohë që transaksionet ndërkombëtare të armëve vijojnë të rriten.

Rusia, Franca dhe Gjermania përfshihen në mesin e 5 shteteve me eksportet me të mëdha, të cilat përbëjnë ¾ e eksporteve të armëve në botë.

Të dhënat janë publikuar të hënën nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI), i cili krahasoi të dhënat për periudhën 2014-2018.

Pavarësisht se Rusia vijon të mbetet shteti me eksportet më të mëdha të armëve, ajo shënoi një rënie të eksporteve me 17 për qind, ndërsa Franca shënoi një rritje me 43 për qind.

Sipas SIPRI, rënia e eksporteve ruse mund t’i atribuohet rënies së kërkesës për armë nga dy prej klientëve të saj më të mëdhenj, Indisë dhe Venezuelës. Eksportet ruse të armëve për në Venezuelë kanë rënë me 96 për qind që prej vitit 2009.

Kryesisht shihet që shtetet evropiane kanë rritur ndjeshëm eksportet e tyre të armëve drejt Lindjes së Mesme. Kështu, eksportet franceze të armëve drejt këtij rajoni kanë shënuar rritje me 261 për qind, ato gjermane me 125 për qind, italianet me 75 për qind dhe ato britanike me 30 për qind.

Si importuesi më i madh në botë i armëve, Arabia Saudite mbetet një klient vendimtar për shumë vende europiane, veçanërisht për Francën, Britaninë, Spanjën dhe Suedinë.

Eksportuesi më i madh i armëve në botë vijon të mbetet SHBA, ndjekur nga Rusia, Franca, Gjermania dhe Kina.

Lista vijon me Britaninë e Madhe, Spanjën, Izraelin, Italinë dhe Holandën.