Bota 70 vjet Kinë komuniste, Presidenti Xi Jinping: Askush nuk mund të na...

70 vjet Kinë komuniste, Presidenti Xi Jinping: Askush nuk mund të na ndalë

“Asnjë forcë nuk mund ta ndalë Kinën”. Ishte ky mesazhi që përcolli Presidenti Xi Jinping në fjalimin e mbajtur në sheshin Tienanmen, para se të inspektonte trupat që morën pjesë në paradën ushtarake për 70-vjetorin e Republikës Popullore.

“Asnjë forcë nuk mund ta lëkundë shtetin tonë apo të ndalë popullin kinez të bëjë përpara”, tha Jinping.

Në paradën ushtarake me rastin e 70-vjetorit të themelimit të republikës u prezantuan për herë të parë raketat ndërkontinentale DF41 me karburant të ngurtë, të cilat janë në gjendje të arrijnë në territorin amerikan brenda një ore.

Pjesë e paradës madhështore janë edhe portretet e udhëheqësve dhe ish-liderëve të Republikës Popullore, duke filluar nga Mao Zedong, Deng Xiaoping, Hu Jintao e për ta mbyllur me liderin aktual Xi Jinping, i konsideruar si promovuesi i epokës së re.

Në fjalimin e tij, presidenti kinez Xi Jinping u shpreh se Kina socialiste është një vend i fuqishëm në Lindje të globit dhe nuk ka asnjë forcë që mund ta lëkundë statusin e Kinës dhe që mund të pengojë hapat e përparimit të popullit e të kombit kinez.

Xi Jinping vuri në dukje gjithashtu se Kina do të ngulë këmbë në parimin “bashkimi paqësor” dhe politikën “një vend, dy sisteme” për të ruajtur zhvillimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të Hong-Kongut dhe të Makaos si dhe për të nxitur zhvillimin paqësor të marrëdhënieve midis ngushticës së Tajvanit.

“Ne duhet të ruajmë të palëkundura parimet e një bashkimi paqësor dhe ato të një vendi e dy sisteme, duke garantuar stabilitet afatgjatë në Hong Kong dhe Makao”.

Parada ushtarake zgjati 3 orë dhe në të morën pjesë rreth 15 mijë trupa dhe 100 mijë civilë. Aktiviteti u eklipsua disi nga smogu, që pavarësisht mbylljes së fabrikave ndotëse gjatë javës, nuk u zhduk.

Gjatë 70 viteve, Kina ka arritur rezultate të pasura në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, duke u bërë ekonomia e dytë më të madhe në botë dhe vendi më i madh lidhur me tregtinë e mallrave e rezervën valutore, si edhe duke u renditur e dyta për sa u përket investimeve jashtë vendit. Jetëgjatësia mesatare e njerëzve është rritur nga 35 vjet në vitin 1949 në 77 vjet, ndërkohë që në Kinë është krijuar sistemi më i madh i sigurimeve shoqërore në botë.