Bota 80-vjetori i Luftës së Dytë Botërore, Polonia nuk fton Serbinë dhe Rusinë

80-vjetori i Luftës së Dytë Botërore, Polonia nuk fton Serbinë dhe Rusinë

Serbia dhe Rusia nuk janë ftuar në aktivitetin që mbahet në Varshavë më 1 shtator me rastin e 80-vjetorit të nisjes së Luftës së Dytë Botërore. Mediat serbe raportojnë prej dy ditësh me një frymë skandali mohimin që i bëhet Serbisë, një vend që ka kontribute të mirënjohura në këtë luftë dhe që ishte një ndër viktimat, por edhe fitueset e saj.

Thuajse të gjitha kanë vënë në dukje se ky është rasti i dytë kur Serbia fyhet publikisht duke mos i njohur kontributin e saj historik, pas asaj që ndodhinë aktivitetin e zhvilluar me rastin e 100 vjetorit të armëpushimit të Luftës së Parë Botërore, kur presidenti Vuçiç u caktua të qëndronte pas presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që qëndronte në krah të homologut rus, Vladimir Putin.

Mungesa e një ftese për Serbinë dhe Rusinë, ngjan tërësisht absurde nëse shihet nga plani historik, por siç shkruajnë mediat serbe, i Ngarkuari me Punë i ambasadës polake në Beograd, Pavel Sokolovski, ka deklaruar se ftesa u është dërguar vendeve të ngushta partnere nga BE, NATO dhe atyre në Lindje.

Në aktivitet thuhet se do të marrin pjesë edhe vende si Gjeorgjia, Armenia apo Ukraina, duke e bërë atë kryekëput një ngjarje politike.

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç e ka cilësuar të trishtë situatën e krijuar, ndonëse në rastin e Serbisë duhet thënë se ka një lloj alibie: në kohën kur nisi LIIB, Serbia nuk ekzistonte si entitet politik, pasi ajo përfshihej në Mbretësinë Serbo-Kroato-Sllovene, njësoj sikurse Rusia ishte inkuadruar si njësi e Bashkimit Sovjetik.