Kryesore 9 metrat fatale të aksidentit të Kobe Bryant (FOTO)

9 metrat fatale të aksidentit të Kobe Bryant (FOTO)

Helikopteri i cili i mori jetën Kobe Bryant, vajzës së tij 13-vjeçare Gianna dhe 7 personave të tjerë, humbi 600 metra lartësi në një minutë para se të përplasej me faqen e kodrës. Kështu deklaroi një zyrtare e Bordit të Sigurisë së Transportit Kombëtar Amerikan të martën. Ajo tha gjithashtu tha se helikopteri mund ta kishte shmangur kodrën me të cilën u përplas për më pak se 9 metra.

Helikopteri ishte në lartësi prej 700 metrash në momentin kur humbi komunikimin të dielën në mëngjes me kontrollin e trafikut ajror. Fjalët e fundit të pilotit ishin se po ngjitej mbi retë për t’i shmangur ato. Biseda ishte regjistruar në orën 9:45 me orën lokale, ndërsa 2 minuta më pas erdhi edhe telefonata e parë në numrin e urgjencës 911, tha Sherifi i Kontesë së Los Anxhelosit, Alex Villanueva.

Një anëtare e bordit, Jennifer Homendy, tha se helikopteri nuk kishte sinjalizues terreni dhe sistem paralajmërimi që i jep informacione pilotit me terrenin rreth helikopterit. Ajo tha gjithashtu se bordi kishte këshilluar që këto helikopterë të pajiseshin me këtë sistem pas një aksidenti fatal në Teksas me 10 të vdekur, në vitin 2004. Por Administrata Federale e Aviacionit nuk e kishte përmbushur këtë udhëzim. Sipas hetimeve paraprake, helikopteri ishte i plotë para se të përplasej në kodër.

Zyra e Sherifit gjithashtu tha se trupat e viktimave ishin rikuperuar të gjithë dhe katër prej tyre, përfshi atë të Kobe Bryant, ishin identifikuar zyrtarisht. Hetuesve iu desh shumë punë për të arritur deri në vendin e aksidentit, duke çarë rrugën e vështirë me buldozerë.