Kryesore 9 raste të reja me koronavirus në Shqipëri

9 raste të reja me koronavirus në Shqipëri

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë konfirmuar 9 raste të reja me Covid-19. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 782.

Nga rastet e reja, 5 janë konfirmuar në Tiranë dhe 4 në Krujë. Me ritme të mira po ecën edhe numri i të shëruarve. 488 qytetarë e kanë kaluar sëmundjen në vendin tonë.

“Duke parë të dhënat, momentalisht situata epidemiologjike në vendin tonë paraqitet e qëndrueshme. Harta e të shëruarve është zgjeruar në të gjithë vendin. Për këtë arsye, përveç zonave që kanë qenë të paprekura nga COVID 19, është zgjeruar harta e zonave të gjelbërta, edhe me ato bashki që momentalisht paraqesin risk më të ulët të transmetimit të infeksionit”, tha Rovena Daja nga ISHP.

Aktualisht në vendin tonë janë 263 pacientët aktivë me COVID-19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë. Në spitalet COVID janë të shtuar 33 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.

Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor.

Ministria e Shëndetësisë i bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale pavarësisht lehtësimit të masave nga e hëna.

“Është shumë e rëndësishme të respektohen këto masa, pasi deri në momentin që nuk kemi një vaksinë apo trajtim të përcaktuar, vigjilenca duhet të jetë maksimale”.