Kulturë 90 vite më parë lindi Dritëro Agolli

90 vite më parë lindi Dritëro Agolli

Po kur të jesh mërzitur shumë

Në raft të librave kërkomë,

Atje do jem i fshehur unë,

Në ndonjë fjalë e ndonjë shkronjë…

Edhe pse ai nuk është më midis nesh, poezia e Dritëro Agollit, prania e tij artistike, vjen pothuajse çdo ditë tek ne me vargjet e veprat që ai ka lënë.

Sot është ditëlindja e shkrimtarit dhe poetit të madh, Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta vetëm 4 vite më parë, në shkurt të 2017-s.

Dritëro Agolli ka lindur më 13 tetor të vitit 1931 dhe këtë tetor Dritëroi do të mbushte 90 vjeç.

Ndonëse ai mungon prej katër vitesh, urimet për shkrimtarin nuk reshtin, duke e kujtuar përmes veprës së tij. Ndërsa e bija, Elona, ka një urim të veçantë për të. Ajo ka ndarë në rrjetet sociale një kartolinë të 12 viteve më parë, të 13 tetorit të 2009-s, ku i uron ditëlindjen babait të saj.

“Në vitet, kur me babin shkëmbenim kartolina të çuditshme urimi …”, shkruan Elona Agolli në Facebook.

Kartolina e së bijës për Dritëro Agollin

Me penën e tij, Dritëro Agolli u bë për lexuesin njeriu i të vërtetave, i harmonisë dhe jo i konfliktit, i dashurisë dhe jo i urrejtjes.

Në gjithë lëmin e krijimtarisë së tij, ai u mishërua me tokën, natyrën, me gjërat konkrete e abstrakte që ngërthen në vete hapësira shqiptare. Pra, në poezinë e tij pasqyrohet shpirti i vendit e i popullit të tij, dhe për këtë ai do të fitonte edhe epitetin e poetit të Tokës.

Poezia e Agollit rrallë ngërthen në vetvete një gjuhë simbolike, ajo, në të shumtën e rasteve komunikon lirshëm e drejtpërdrejt me lexuesin. Ndryshe nga shumë poetë, të cilët vargun hermetik e shohin si sinonim të modernes, për Dritëro Agollin në gjithë krijimtarinë e tij sinonim i modernes ishte komunikimi i drejtpërdrejtë me lexuesin në një gjuhë të thjeshtë e sa më pranë tyre.

Duke qenë një poet eksplicit (i qartë), poezia e Agollit i dedikohet fëmijës, nxënësit, mësuesit, fshatarit, intelektualit.

Eseisti i njohur anglez Tomas Strns Eliot do të shprehej: “Kur një qytetërim është i shëndoshë, atëherë poeti i madh do të ketë diçka t’i thotë edhe shokut të tij fshatar të çdo shkalle të edukimit”. Një gjë të tillë e ka bërë dhe poeti ynë që me penën e tij kishte çfarë t’u thoshte të gjithëve.