Koronavirusi ka ndryshuar mënyrën e jetesës, sidomos në dy shtetet më të prekura të Azisë dhe Europës: Kinë dhe Itali. Më pak darka jashtë, më shumë televizion dhe video online në shtëpi. Për Italinë, realiteti i ri është ky. Një studim i kryer nga “Nielsen” tregon se 49% e të pyeturve i shmangin, kur është e mundur, vendet publike dhe të mbushura me njerëz; 30% shmangin transportin publik dhe 8% përdorin metoda të tjera si puna nga shtëpia.
Vetëm 17% e totalit, megjithatë, thonë se janë të shqetësuar për rrezikun e infektimit dhe mundësinë e një epidemie dhe 46% janë të bindur se një muaj do të jetë koha e mjaftueshme për t’i shpëtuar përhapjes së virusit, edhe nëse do të ketë një emergjencë në shkallë globale 53% supozojnë një afat kohor dymujor.
Sipas studimit të Nielsen, më shumë se një e treta e italianëve kanë zvogëluar frekuencën e të ngrënit jashtë (35%) dhe frekuentimin e bareve (32%). Edhe zakonet brenda shtëpisë kanë ndryshuar: 27% e popullatës thotë se shikojnë më shumë televizor dhe 15% më shumë video në internet. Ndryshimet përfshijnë edhe higjienën: 79% e popullatës thotë se shpesh lajnë duart; përdorin më shumë sterilizues dhe dezinfektues (45%) dhe mbulojnë me shami hundët dhe gojën kur teshtijnë (42%).
Më përpara, ndryshime të ngjashme kanë nisur edhe në jetën e kinezëve. Masat kundër koronavirusit kanë sjellë rritjen e shitjeve online. Sektori i shërbimeve të internetit ka njohur rritje të mëtejshme për shkak të hapësirave të reja që janë dashur të krijohen për kryerjen e disa aktiviteteve në distancë. P.sh. zhvillimi i orëve mësimore apo mbledhjet e korporatave tani bëhen përmes aplikacioneve.
Edhe argëtimi ka ndjekur të njëjtin trend. Mbyllja e kinemave dhe teatrove i ka drejtuar njerëzit te interneti. Më shumë njerëz ndjekin programe dhe video online. Po ashtu, edhe përdorimi i lojërave elektronike përmes aplikacioneve në celularë janë rritur.