Për gjashtë akuzat që i ka ngritur prokuroria, botuesi Henri Çili do të gjykohet i lirë. Gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje”, njësoj si për 10 të arrestuar të tjerë në operacionin Mezhgorani”. Drejtori juridik i Universitetit Europian të Tiranës, Ilir Korbi, është lënë në arrest shtëpie.
Masa e sigurisë u vlerësua nga gjyqtari Dritan Hasani. Çili mohoi akuzat 6 për të cilat u arrestua nga policia.
Prokurorët thonë se ai mori përsipër të ndihmonte për lirimin nga burgu të vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko, të dënuar përkatësisht me burg përjetë dhe 18 vjet për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, në vitin 2015 në Lazarat.
Në raportin e prokurorëve që u lexua edhe në gjykatë mësohet se botuesi është përgjuar duke ofruar ndihmë në këmbim të parave dhe pasurive për të ndikuar tek një anëtar i sistemit të drejtësisë, me qëllim lirimin nga burgu të vëllezërve Aliko. Ndaj Çilit rëndojnë 6 akuza, si ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, falsifikimi i dokumenteve, falsifikim i dokumenteve në bashkëpunim, mashtrim, fshehje e të ardhurave dhe pastrim i parave.
Operacionit “Mezhgorani” nisi fillimisht për falsifikim kartëmonedhash dhe trafik të lëndëve narkotike, për më pas zbuloi tentativën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.